“Excelsior” ka botuar, të shtunën e 12 prillit 1913, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me rrëfimin e Dukës së Montpensier-it mbi udhëtimin e tij në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Drejt Shqipërisë
Shënimet e Dukës Montpensier
[Ne kemi fatin e mirë të jemi në gjendje t’u sjellim lexuesve disa fragmente të shënimeve të marra nga Shkëlqesia e Tij Duka i Montpensier-it gjatë udhëtimit të tij të fundit në Shqipëri : ]
28 mars
Pasi u larguam nga Korfuzi në orën 11 të mëngjesit, mbërritëm në orën 5 të mbrëmjes, ku në pamje shihej kepi i Linguetta-s, të cilin e parakalojmë, dhe ja ku gjendemi përpara gjirit të Vlorës. Çfarë do të gjejmë pas këtyre maleve që ende fshehin qëllimin e udhëtimit tonë ? Mekongu (anija e dukës) ngadalësoi pak dhe hyri në kalim. Së shpejti, gjiri duket i tëri : është bosh. Pra, ndërkohë që ndalemi para një pike të bregdetit të quajtur Pasha-Liman, “motoskafi” ynë niset drejt Vlorës, duke shpjerë në breg mjekun dhe komandantin e Mekongut, të cilët, sipas rregullit, do të hyjnë në kontakt me autoritetet detare dhe sanitare. Dy shqiptarë, Gogiaman dhe Caccarigi, i shoqërojnë ata. Në duart e kujt do ta gjejnë qytetin ? Ende nuk e dimë.
Një orë më vonë, anija kthehet, duke sjellë disa shqiptarë të shquar, ndër të cilët Qazim Qemalin dhe Et’hem Qemalin, i biri i kreut të qeverisë së përkohshme, dhe Eqrem Vlorën (Eqrem Bej Vlora), nipin e vezirit të madh turk Ferid Pashës. Me ta erdhën gjithashtu drejtori i Bankës Austriake, një gazetar gjerman, z. Muller, i Neue Freie Press dhe mjeku ndërkombëtar, i cili është ende në detyrë edhe pse nuk paguhet (furnizohet) që prej një kohë të gjatë. Në të vërtetë, të gjithë janë shkëputur që prej pesë muajsh nga komunikimet me pjesën tjetër të botës. Flota greke erdhi shpesh pranë gjirit; madje, ajo gjuajti dy herë me top në qytet, por kurrë nuk u përpoq të zbarkonte, thjesht u mjaftua me vrojtimin e hyrjes në port.
Falë disa gazetave të vjetra të dhuruara peshkatarëve të bregut nga oficerët e anijeve greke, popullata ka një nocion shumë të vogël në lidhje me ngjarjet e jashtme.
Vizitorët tanë na sigurojnë se siguria është e përsosur në tokë. Të gjithë i binden Qeverisë së Përkohshme dhe udhëheqësit të saj, Ismail Qemalit. Qeveria e re ka organizuar një milici shqiptare që mban rendin; Ajo mbledh rregullisht taksat dhe, në veçanti, ka monopolin e shitjes së kripës. Por ushqimet janë të pakëta : sheqeri është me vlerë deri në 20 franga një kilogram; vetëm buka është ruajtur me çmim të arsyeshëm. Të gjitha mallrat e tjera arrijnë çmime fantastike (të larta); nafta kushton 50 franga bidoni. Pavarësisht vështirësive, gjendja sanitare e popullsisë është e shkëlqyeshme.
Vizitorët tanë, ende të surprizuar nga ardhja e Mekongut në portin e tyre, i braktisur prej një kohë të gjatë, na pyesin pa ndërprerje për ngjarjet e luftës. Ndërsa nata ka rënë, ne i shoqërojmë ata për në Vlorë nëpërmjet Gogiamani-t dhe Ciccarigi-t, dy shoqëruesit tanë shqiptarë, të cilët, të gëzuar se u kthyen në atdheun e tyre, do të qëndrojnë këtë natë në tokë.
29 mars
Në mëngjes, dy shqiptarët tanë kthehen për të na njoftuar vizitën e Ismail Qemalit, i cili hyn në bord rreth mesditës dhe drekon me ne. Ai është i shoqëruar nga ministrat e tij. Të gjithë dëshmojnë se organizimi i vendit është tashmë i fuqishëm dhe se shqiptarët janë plotësisht të vetëdijshëm për veten e tyre. Ata synojnë të zgjedhin vetë sovranin e tyre sapo të vihen kufijtë e territorit të tyre. Kështu, Ismail Qemali, i cili dëshiron të shkojë dhe të ballafaqohet me fuqitë në lidhje me kufijtë, na kërkon ta marrim me vete në Itali …
Gjatë kësaj vizite, në krye të shtyllës së Mekongut valvitet flamuri shqiptar, i cili që prej pesë shekujsh, që nga koha e Dukës Jean (Gjon) të Normandisë, kurrë nuk ka lundruar në ujë.
Në orën 4, zbresim në tokë, buzë një bregu të vogël, i cili ende mban gjurmët e njërës prej dy predhave të gjuajtura nga grekët në qytet. Në dalje, na presin dy karroca ! Unë nisem në të parën me princ Gjikën dhe Gogiaman-in; suita ime ndodhet në të dytën, ndërkohë që një grup i madh milicësh shqiptarë gjendet i armatosur. Ata janë rreth tetëqind, të armatosur në mënyrë të përkryer, të veshur me uniforma turke, ku qafat e tyre janë transformuar në ngjyrat shqiptare, dhe mbajnë mbi kokë qeleshet e Malsorëve. Turma, e përhapur gjatë rrugës sonë, ka mbushur rrugicat dhe madje mbulon edhe çatitë : ajo na mirëpret dhe brohorit : “Rnoft Scpupnia!” (Rroftë Shqipëria!)
Arrijmë te Ismail Qemali, i cili jeton në shtëpinë e Xhemil Vlorës, e transformuar në pallat qeveritar.
Të gjithë ministrat gjenden aty, të rrethuar nga shefat dhe senatorët që kanë ardhur në Vlorë nga të gjitha anët e Shqipërisë; Janë të pranishëm edhe imzot Cacciori (Kacorri), nunci apostolik i Durrësit, nënkryetar i Qeverisë së Përkohshme dhe Isa Boletini, udhëheqës i famshëm ushtarak shqiptar, para të cilit turqit u drodhën për pesë vjet, i cili tani komandon milicinë shqiptare.
Ne biseduam gjatë me ta…
Ne vizituam qytetin mbi kuaj, të shoqëruar nga dy djemtë e Ismail Qemalit.
Vlora, e cila dikur kishte 7.000 banorë, tani ka 35.000, falë fshatarëve të shumtë që u larguan nga fshatrat dhe shefat e tyre, delegatë ose luftëtarë që kanë zbritur nga malet. Shumë nga këta njerëz jetojnë në mjerim dhe vuajtje tepër të thellë, pavarësisht ndihmës së popullatës vendase;por të gjithë, pa dallim feje, luftojnë kundër mohimeve në emër të idesë shqiptare.
Në mbrëmje, ne kthehemi në Mekong, ku një i dërguar i Ismail Pashës vjen për të na paralajmëruar se Ismail Pashai është gati për tu nisur të nesërmen. Po këtë mbrëmje, konsullët e Austrisë dhe të Italisë vijnë dhe më takojnë në anije.
30 mars
Imzot Cacciori (Kacorri) dhe prifti katolik i Vlorës kalojnë mëngjesin me ne dhe vizitojnë Mekongun. Të dy, si dhe të gjithë të njohurit dhe anëtarët e Qeverisë së Përkohshme, flasin një frengjishte të përsosur …
Ne pritëm për pesë orë anëtarët e qeverisë që do të merrnim për në Itali. Nata filloi të bjerë. Askush nuk po vinte. Ne ishim mjaft të shqetësuar, sepse ishte urgjente që të largoheshim nga gjiri i Vlorës. Më në fund, në orën dhjetë, një barkë solli Ismail Qemalin dhe dy djemtë e tij, Gurakuqin, ministrin e Arsimit, Isa Boletinin dhe dy djemtë e tij, senatorin Berati (Dhimitër Beratin), dhe një tregtar të njohur të zonës.
Majtas : 1.Shkëlqesia e tij Duka i Montpensier-it – 2.Isa Boletini – 3.Ismail Qemali (shef i qeverisë së përkohshme shqiptare. – 4.Ethem Qemali (Djali i Ismail Qemalit) – 5.Qazim Qemali (Djali i Ismail Qemalit) – 6.Luigj Gurakuqi, ministër i arsimit – 7.Një nga djemtë e Isa Boletinit. – 8.Dhimitër Berati, senator. – 9.Gogiaman-i (Shoqëruesi shqiptar i Dukës). – 10.Një tjetër djalë i Isa Boletinit. Djathtas : Qeveria e përkohshme shqiptare në anijen që po e dërgon në bordin e Mekongut. Kryqi tregon se është Ismail Qemali.
Gjatë një nate të errët, ne u larguam nga gjiri dhe kaluam para ishullit të Sazanit, në të cilin ende gjenden disa ushtarë grekë.
31 mars
Në orën tetë të mëngjesit, pas një lundrimi të qetë, ne ankoruam në portin e Brindisit. E deklaruam Vlorën si portin e fundit të qëndrimit. Shërbimi shëndetësor konsultoi regjistrat e tij dhe na tregoi se Vlora ishte shpallur e rrezikshme. Që prej gjashtë muajsh, duke mos patur një mendim tjetër rreth kësaj gjendje, ne pritëm në anije një mjek dhe disa infermierë, të cilët nxitojnë me mirësi të na dorëzonin çertifikatat e nevojshme për zbarkimin e mysafirëve tanë …
1 prill
Ne prekim sërish ujërat e Korfuzit, ku takojmë dy anijet luftarake angleze të dërguara në Tivar, Edward VII dhe Dartmouth-in. Në orën shtatë të mbrëmjes, kthehemi në gjirin e Vlorës. Ne drejtojmë dritën e prozhektorit tonë elektrik në kalim: dy anije siluruese gjenden përpara bregut.
Duka i Montpensier-it