MENU
klinika

Project Syndicate

Siria ka ende nevojë për SHBA-në

02.07.2019 - 13:00

Ndërkohë që bota pret një konflikt të mundshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, gjakderdhja në Siri po përshkallëzohet përsëri.

Presidenti i Sirisë Presidenti Bashar al-Assad ka intensifikuar sulmin e tij kundër bastionit të mbetur të opozitës në Provincën Idlib, e cila është shtëpia e rreth tre milionë njerëzve, duke përfshirë shumë të zhvendosur brenda vendit.

Për të shmangur një makth të ri humanitar dhe një eksod masiv të refugjatëve, SHBA duhet të rinovojë përpjekjet e saj të paqes.

Që kur një koalicion i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të forcave kurde arritën të largonin kalifatin territorial të Shtetit Islamik (ISIS), SHBA ka filluar të largohet nga Siria.

Në fund të vitit të kaluar, Presidenti i SHBA Donald Trump njoftoi tërheqjen e trupave amerikane atje.

Tani pothuajse një e treta e vendit kontrollohet nga një milici kurde të cilën Turqia e konsideron si një armik. Për shkak të mbështetjes së Amerikës ndaj kurdëve dhe vendimit të Turqisë për blerjen e raketave anti-ajrore ruse, marrëdhëniet SHBA-Turqi janë prapë të tensionuara.

Ndërkohë, Rusia ka orkestruar kthimin e saj në rajon duke mbështetur regjimin e Asadit dhe Irani po rrit ndikimin rajonal dhe mundësinë e luftës me Izraelin.

Në vend që të shpërfillë këto rreziqe, SHBA duhet të kthehet në lojë për të ardhmen e Sirisë.

Si hap i parë, duhet të nisë një grup të ri kontakti që përfshin Turqinë, Rusinë, Bashkimin Evropian dhe Kombet e Bashkuara. Iniciativa duhet të ketë tre objektiva kritike, e para e të cilave është të ushtrojë presion ndaj regjimit të Asadit për t’i dhënë fund dhunës dhe për të pranuar një shtet të decentralizuar në shkëmbim të ndihmës ndërkombëtare për rindërtim.

Për t’i dhënë fund konfliktit, regjimi duhet të braktisë ofensivën e tij në Idlib, dhe grupet e opozitës të grumbulluara atje duhet të bien dakord të çarmatosen.

Dështimi për të rindërtuar komunitetet e shkatërruara nga Siria dhe për të rikthyer aftësinë e shtetit për të ofruar shërbime thelbësore do të linte derën hapur për një ringjallje ekstremiste. Për të filluar procesin, BE-ja, e mbështetur nga OKB-ja, duhet të marrë rolin udhëheqës në mbikëqyrjen e kthimit të refugjatëve, ngritjen e burimeve të nevojshme dhe zbatimin e një programi të rindërtimit pas konfliktit.

Qëllimi i dytë i grupit të kontaktit duhet të jetë të arrijë një marrëveshje me partinë kryesore kurde të Sirisë, Partinë e Bashkimit Demokratik (PYD).

SHBA, nga ana e saj, ka një detyrim për të siguruar të drejtat politike të kurdëve të Sirisë, që udhëhoqën luftën kundër ISIS.

Por gjithashtu duhet të riparojë marrëdhëniet e saj me Turqinë. E vetmja mënyrë që mund ti bëjë të dyja është të ndërmjetësojë një afrim midis Turqisë dhe PYD-së.

Objektivi i tretë i grupit të kontaktit duhet të jetë zvogëlimi, nëse nuk eliminohet, influenca iraniane në Siri.

Thjesht krijimi i një grupi të ri kontakti do të zvogëlonte ndikimin diplomatik të Iranit duke e ndaluar atë nga forumi kryesor për të negociuar të ardhmen e Sirisë.

Për t’u larguar nga konflikti, SHBA duhet së pari të nisë një përpjekje të re paqeruajtëse diplomatike. Nëse Trump largohet para kohe, Siria do të mbetet e paqëndrueshme, dhe kështu në rrezik për ringjalljen e radikalizmit.

Në të kundërt një konflikt mund të rinisë dhe do të jetë me një kosto edhe më të lartë. Zgjedhja është e lehtë.

Charles A. Kupchan është profesor i Çështjeve Ndërkombëtare në Universitetin Georgetown dhe një anëtar i lartë në Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë. Ai është autori i “Si armiqtë bëhen miq: burimet e paqes së qëndrueshme”.

Sinan Ülgen, një ish-diplomat turk është një studiues në Carnegie Europe.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Deklarat e Sekretarit amerikan të mbrojtjes

“Rusia nuk mund ta zëvendësojë kurrë SHBA-në”

Nga Albert Çaçi

Beteja për Idlib-in