Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka i ka kthyer përgjigje Presidentit Ilir Meta lidhur me letrën e dërguar për masat e marra për një termet apokaliptik në Ballkan.
Xhaçka në letrën e saj shkruan se vetë sizmologu grek ka përgënjeshtruar lajmin e publikuar në media, ndërkohë që Instituti i Gjeoshkencave e ka të pamundur të parashikojë tërmetet.
“I nderuar z. president,
Jam njohur përmes shkresës, datë 29.07.2019, me shqetësimin e ngritur nga ju, lidhur me rrezikun që i kanoset vendit tonë dhe mbarë rajonit, nga një tërmet i përmasave apokaliptike që pritet të godasë së shpejti, jo vetëm Shqipërinë por mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Përfitoj nga rasti për t’ju informuar ju, e përmes jush edhe mbarë opinionin, pas konsultimeve me Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), se aftësia për të parashikuar vitin, datën e orën kur do të godasë një tërmet, apo fuqinë me të cilën do të godasë shkon përtej mundësive të shkencës. Tërmetet për fat të keq janë të paparashikueshëm. Ky është një fakt që e konfirmojnë sizmiologët tanë dhe çdo sizmiolog kudo në botë. Për më tepër, e konfirmon edhe vetë sizmiologu i njohur Tselentis, fjalët e të cilit janë bërë shkas për shqetësimin tuaj.
Besoj që jeni informuar, që në një reagim të tij ndaj alarmit tuaj, ai është shprehur disi i çuditur mbi lajmin e rremë, siç e quan ai duke thënë se, “nuk mundem dhe asnjëherë nuk kam bërë asnjë parashikim specifik për tërmete”. Shpresoj që përgjigjja e sizmiologut të sipërcituar, e cila përputhet edhe me qëndrimet e sizmiologëve shqiptarë e sizmiologëve në mbarë botën, i jep një përgjigje ezauruese arsyes së shqetësimit tuaj: tërmetet janë të paparashikueshëm.
Sidoqoftë, përfshirja juaj në debatin lidhur me përgatitjen e Shqipërisë për t’u përballur me emergjencat e fatkeqësitë natyrore është e mirëpritur. Kjo është një çështje, së cilës edhe Qeveria e Shqipërisë, dhe institucioni që unë drejtoj i kemi kushtuar vëmendje maksimale.
Unë nuk kam asnjë dyshim që Shqipëria është sot më e përgatitur për t’u përballur me emergjencat, sesa në çdo moment tjetër gjatë 30 vjetëve të fundit. Kapacitetet tona reaguese janë sot shumë më të mëdha, profesionalizmi i burrave dhe grave që mbulojnë këtë sektor është i jashtëzakonshëm dhe koordinimi institucional është shumë më efikas se çka qenë ndonjëherë. Mënyra sesi i përballuan pasojat e tërmetit në Korçë janë prova më domethënëse e seriozitetit të përgatitjeve tona.
Ndërkohë, shprehja më e qartë e seriozitetit të punës sonë është ligji “Për Mbrojtjen Civile”, që pret sot dekretimin nga ana juaj. Është një ligj i hartuar me ekspertizën e mbështetjen e ekspertëve më të mirë vendas e të huaj, dhe që do të transformojë qasjen e vendit tonë ndaj emergjencave duke e zhvendosur fokusin nga reagimi, tek parapërgatitja, parandalimi e zvogëlimi i riskut.
Unë besoj që duke dekretuar këtë ligj, pa humbur kohë, ju do të jepni një kontribut real në përgatitjen e vendit tonë për t’u përballur sa më mirë, e me sa më pak dëme me çdo lloj fatkeqësie natyrore, përfshirë edhe tërmetet, të cilat, pavarësisht dëshirës sonë, në fund, mbeten të pakontrollueshme e të paparashikueshëm.”, shkruan Xhaçka.