MENU
klinika

Primo Levi, mjeshtër i nënvlerësimit

Vetja dhe qenia jonë në botë

31.07.2019 - 15:35

     Dëshmi e gjallë e Aushvicit, i cili vinte në disktuim edhe veten: fjalët e tij ishin një paralajmërim kundër infeksionit gjithnjë të fshehur të urrejtjes.

 

Sot përkujtohet njëqindvjetori i shkrimtarit Primo Levi, të burgosurit numër 174 517 në Aushvic. Lindur më 31 korrik 1919, italiani i dha fund në 11 prill 1987. Shkrimtar dhe dëshmitar i Shoah, autor i tregimeve të shkurtra dhe kujtimeve. Një partizan antifashist, i cili në 1943 u kap nga nazistët dhe u internua në kampin e përqendrimit të Aushvicit si një hebre. Pasi u arratis nga kampi i përqendrimit, u kthye në Itali, ku iu përkushtua detyrës për të rrëfyer mizoritë që shiheshin dhe vuanin. “A është, vallë, njeri?” – një rrëfim rrëqethës dhe një analizë e thellë mbi historinë e kampeve të përqendrimit, mbi fyerjen, poshtërimin dhe degradimin e njeriut, para se të mbërrihet në shfarosjen e plotë të tij. 

Primo Levi ishte mjeshtër i nënvlerësimit. Me të folurën e qetë, gjithnjë të animuar dhe me sens humori, u bë gjithnjë e më i dukshëm në punën e tij mëvonshme, duke shkruar tema nga më të larmishmet.

 

 

 

 

“Shumë letra që marr admirojnë forcën, me të cilën kam duruar një vit burg (në kampin e përqendrimit të Aushvicit); por ishte një forcë pasive, e tillë si ajo që shkëmbi duron goditjet e rrymës së ujit. Unë nuk jam njeri i fortë. Përkundrazi”.

Në 1987, kur Primo Levi u shpreh para gazetarit Roberto Di Caro, tashmë ishte një shkrimtar i njohur ndërkombëtar dhe, për shumicën e lexuesve të tij, ai konsiderohej si dëshmi e gjallë e sistemit të kampit përqendrimit; i mbijetuari, që më shumë se gjithkush tjetër ka mundur të kthejë në botën e të gjallëve historinë e hebrenjve të shfarosur.

Kishte pasur “fatin” të futej në kampin më të madh të punës të kompleksit të Aushvicit, i lidhur me një fabrikë të madhe kimike, I.G. Farbenindustrie, për më tepër ai ishte një kimist, një skllav hebre i dobishëm për nazistët. Prandaj, fat, jo guxim. Kjo i shërbeu më vonë, kur u kthye në shtëpi, me “helmin e Aushvicit” në zemër. Dhe në shtëpi, muajt e parë, ndjehej i shtypur nga pesha e kujtimeve, më shumë i vdekur se sa i gjallë. Vuante për miqtë që nuk ishin kthyer më.

 

 

 

 

 

Poezia ishte streha e tij e parë në fjalën e shkruar. Më pas, kërkoi informacione rreth atyre që e dinte se ishin kthyer dhe mbi të gjitha për Lorenzon, muratorin që e kishte shpëtuar, duke i sjellë çdo ditë ushqim dhe fjalë shprese. Në nëntor të 1945-ës, filloi të shkruajë disa pjesë të asaj që duhej të ishte historia e tij e treguar për botën: një libër me kujtime dhe refleksione, mbi të keqen ekstreme dhe radikale që ai kishte parë dhe vuajtur. “A është vallë njeri?”, një dëshmi dhe në të njëjtën kohë një mënyrë për t’iu ofruar gjithë lexuesve “dokumente për një studim paqësor për aspekte të ndryshme të shpirtit njerëzor”, – shkruante ai në parathënie. Dhe shtonte, sikur të mbronte ditët tona: “Për shumë, individë ose popuj, mund të ndodhë të besojnë, me vetëdije, se çdo i huaj është armik. Kryesisht ky besim qëndron në fund të shpirtrave si një infeksion i fshehtë”, në fund të të cilit, kur bëhet praktikë sociale, e hartuar nga qeveritë, është ndarje. “Historia e kampeve të shfarosjes duhet të kuptohet nga të gjithë si një shenjë ogurzezë rreziku”. Fjalë që sot na duken si një paralajmërim, një shenjë vëmendjeje.

Shto këtu edhe mundimet shpirtërore të muajve të fundit të jetës së tij, në “zonën gri”. Një koncept, që, siç shprehet miku i tij Ernesto Ferrero, Levi e përdor për të “vënë në dyshim edhe dhe mbi të gjitha veten”. Rritja e të privilegjuarve, shkruan Levi, jo vetëm në Lager, por në të gjithë bashkëjetesën njerëzore, është një fenomen shqetësues, por i pashmangshëm; vetëm në utopi mungojnë. Më tej, vazhdon: “Është detyrë e njeriut të drejtë të luftojë për çdo privilegj të pamerituar, por nuk duhet të harrohet se kjo është një luftë pa fund”.

Mjafton për të pohuar, se si veprat e Primo Levit janë së bashku një mjet për të kuptuar të kaluarën e shfarosjes naziste dhe Lagerit dhe të tashmes sonë, njerëz të kapur gjithmonë nga tundimi i së keqes. Madje sot, Levi duket sikur na thotë: “Krimi që do të vijë, do të marrë një formë disi ndryshe, që të mos njihet menjëherë, kështu ne nuk do të jemi në gjendje ta kuptojmë”.

 

 

 

 

Sidoqoftë, nga vepra e Primo Levit vjen një dritë e re dhe jo një botë e dëshpëruar. Ajo, siç shprehet Tzvetan Todorov: “zhvillon meditimin dhe historinë e tij pa klithma ose shpallje gjëmuese, duke zgjedhur me korrektësi fjalët e duhura për të qenë njëherazi të qarta dhe të sakta”, duke pranuar vetëm argumente racionalë dhe, mbi të gjitha, duke hulumtuar kërkimin e së vërtetës dhe drejtësi. Në këtë këndvështrim, Levi përfaqëson një rreze drite: që njerëz si ai i kanë rezistuar ndotjes nga e keqja dhe urrejtja, në kërkim të hakmarrjes, janë për ne një burim inkurajimi. Të lexosh sot Primo Levin, na ndihmon jo vetëm ta njohim më mirë shkrimtarin, por të kuptojmë diçka për veten dhe qenien tonë në botë./Konica.al

 

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nobelisti Imre Kertez

Shkrimtari i gjuhës së kampeve

Si nuk e takoi kurrë Çabejn

Lankshi rrëfen Camajn e panjohur


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit