MENU
klinika

Nobelisti Imre Kertez

Shkrimtari i gjuhës së kampeve

14.05.2019 - 17:10

Shkrimtari hungarez me origjinë hebreje, Imre Kertez, përfaqësues i një pjese të literaturës së kampeve të përqendrimit, dëshminë e internimit e ka shndërruar në një triller të vërtetë, sepse sipas tij, për fat të keq fjalori nuk arrin ta mendësojë çmendurinë që ai njohu në kampet naziste të Aushvicit.

Imre Kertez mbijetoi vetëm falë literaturës, por për çfarë shkrimesh e kemi fjalën? Gjatë gjithë punës së tij ai ka shpalosur një univers kafkian, me gjuhë nganjëherë atonale të huazuar me shumë humor. Zhytur në një punë sa largpamëse, aq edhe pesimiste, me një gjuhë të veçantë në vetvete, gjuhë e kampeve, vepra i mundësoi çmimin “Nobel” në letërsi, në vitin 2002.

 

 

“Isha 24 vjeç kur ndjeva thirrjen shpirtërore. Ishte një moment joreal, mistik. Ajo thirrje që nuk e kuptoja mirë, pasi ishte në kundërshtim të plotë me mënyrën time të jetesës, por më duhej t’i përgjigjesha: më duhej të shkruaja një libër që do të ishte vetëm i imi”, – Imre Kertez.

Kertez nuk është i vetmi që njohu përvojën e kampeve të përqendrimit, pasi kampet nuk munguan në shekullin e njëzet, ishin gjithandej: në Gjermani, në Poloni, sidomos në Bashkimin Sovjetik. Tek “I pafati” njeriu gjen dëshminë e pamohueshme, se në të vërtetë dhimbja dhe jeta janë një. Përmes brengave dhe hidhërimeve, ai mëson të vërtetën lakuriqe. Brenda fatkeqësisë, ai arrin të nuhasë edhe diçka që i përngjan fatlumësisë.

Tek libri “Holokausti si kulturë” autori shkruan: “Mund të them ndoshta, se pesëdhjetë vjet më vonë i dhashë formë horrorit që Gjermania ka derdhur në botë (…), gjë që ua ktheva gjermanëve në formën e artit”.

 

 

I lindur në Budapest në vitin 1929, në një familje të thjeshtë hebreje, Imre Kertez u fut që 5-vjeç në një shkollë me konvikt, pas divorcit të prindërve. Kur ishte 14-vjeç, në vitin 1944, pasi u dëbua nga shkolla për faktin se ishte hebre, u arrestua nga policia dhe u internua në Aushvic. Nuk e dinte se çfarë e priste. Qëndroi një vit në paraburgim, ku arriti të mbijetojë vetë pasi gënjeu për moshën: me pretendimin se është 16-vjeç dhe jo 14-vjeç, shpallet i aftë për punë dhe për këtë arsye i dobishëm në kamp, bashkë me të edhe shpëtimi.

Pasi u lirua nga amerikanët dhe u kthye në Hungari, ku mësoi se i ati kishte vdekur në internim, Kertez jetoi nën zgjedhën e një totalitarizmi të dytë, për një periudhë kohore gati 40-vjeçare. Autori shprehej se ndoshta ishte pikërisht kjo diktaturë tjetër ajo që e detyroi atë të mbijetonte, në vend që të bënte vetëvrasje, si Primo Levi dhe shumë të tjerë. Imre Kertez krijon që të ndihet i lirë gjithë duke jetuar nën një regjim autoritar. Është autori i 18 romaneve, ndër më të njohurat përmendim “I pafati”, “Holokausti në kulturë”, “Refuzimi”, “Flamuri”, etj.