MENU
klinika

Project Syndicate

As Azia nuk i shpëtoi dot populistëve…

02.08.2019 - 13:29

Rritja e populizmit në perëndim vitet e fundit ka qenë objekt diskutimesh të panumërta, dhe për arsye të mirë: politikat e gabuara të populistëve shpesh kanë pasoja të pafavorshme politike dhe ekonomike. Tani, këto rreziqe po vijnë në Azi.

Partitë populiste zakonisht udhëhiqen nga një individ karizmatik, i cili vendos “elitën e korruptuar” dhe “të jashtmit” kundër “popullit”. Kjo qasje është më efektive në momentet kur publiku është thellësisht i irrituar nga liderët e vendosur ose partitë politike, për shkak të thellimit të pabarazive ekonomike dhe sociale, rritjes së pasigurisë ose korrupsionit.

Megjithatë, pasi vijnë në pushtet, populistët përfundojnë duke i përkeqësuar shumë gjërat. Ata shpesh dëmtojnë institucionet themelore të demokracisë përfaqësuese, përfshirë sistemin e kontrolleve dhe ekuilibrave që frenojnë tepricat institucionale dhe parandalojnë abuzimet e pushtetit. Ata pretendojnë se këto institucione pengojnë aftësinë e tyre për t’i shërbyer “popullit”.

Megjithëse populistët e sotëm nuk po ndjekin politika makroekonomike ekspansioniste, ata ende mbështeten në stimulin fiskal dhe ndërhyrjen e qeverisë në tregje.

E megjithatë, pavarësisht dëmeve që kanë bërë populistët në perëndim, votuesit aziatikë po bien gjithnjë e më shumë viktimë e tyre. Narendra Modi i Indisë, Joko Widodo i Indonezisë dhe Rodrigo Duterte i Filipineve mund ta dëshmojnë këtë.

Në fakt populizmi nuk është një fenomen i ri për Azinë. Në Filipine, Joseph Estrada fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 1998 duke e paraqitur veten si mbrojtës të të varfërve . Ai zbatoi programe të gjera për zvogëlimin e varfërisë, por shumica e tyre kishin pak ndikim.

Kryesisht janë ankesat kulturore ato që po ndihmojnë shtytjen për kulturën e sotme të populistëve aziatikë. Siç ka vërejtur Dani Rodrik, në pjesë të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, tendencat e fuqishme kulturore – siç janë urbanizimi dhe “post-materializmi” po i bëjnë njerëzit të ndjehen si të huaj në tokën e tyre.

Sipas populistëve, njerëzit duhet të mbrohen kundër një grupi të huaj emigrantësh, kriminelësh, pakicash etnike dhe fetare, dhe elitat kozmopolite. Koncepte si tradicionalizmi fetar, ligji dhe rendi, dhe sovraniteti kombëtar ofrojnë një pretekst të dobishëm për politika diskriminuese.

Tani, Azia Verilindore po përfshihet nga valët e populizmit. Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in u zgjodh në vitin 2017 nga votuesit e neveritur nga përplasja e institucionit politik me elitat e biznesit dhe mosrespektimi i nevojave të tyre. Administrata e tij ka ndjekur politika ekonomike populiste, duke përfshirë rritjen e pagës minimale dhe shpenzimet e mirëqenies sociale.

Një studim i kohëve të fundit mbi barometrin aziatik tregon se qytetarët në Hong Kong dhe Tajvan, si ata në Korenë e Jugut, kanë nivele të larta të ndjenjës së zhgënjimit me pabarazinë ekonomike.

Kushtet favorizojnë lulëzimin e populizmit.

Për të zbutur rrezikun populist, liderët përgjegjës aziatikë duhet të punojnë për të forcuar qëndrueshmërinë e institucioneve demokratike dhe të sigurojnë që votuesit të informohen për rekordin e poshtër të populizmit.

Vetëm duke zgjidhur me besueshmëri ankesat ekonomike të qytetarëve, liderët aziatikë mund t’i parandalojnë vendet e tyre të bien pre e premtimeve të rreme dhe shfrytëzimit të pasigurive kulturore.

Lee Jong-Wha, Profesor i Ekonomisë dhe Drejtor i Institutit të Kërkimeve Aziatike në Universitetin e Koresë, ishte një këshilltar i lartë për çështje ekonomike ndërkombëtare për ish-Presidentin Lee Myung-bak të Koresë së Jugut.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kadare dhe intelektualët paralajmërojnë

“Evropa do të zhduket nën dallgët e populizmit”

Bisedime për një tjetër aleancë

Liderat evropianë kundër populistëve