Shefi i kompanisë teknologjike turke ”Bayraktar”, prodhuesit turk të dronëve, mjeteve fluturuese pa pilot, shpalosi prototipin e një automjeti fluturues që, nëse materializohet, do të ishte i pari i këtij lloji në vend.
“Kompania ka punuar në vizatimin teknik, dizajnimin, testimin, detajimin dhe prodhimin e këtij prototipi për tetë muaj”, njoftoi Selçuk Bayraktar në rrjetet sociale.
Automjeti fluturues i quajtur “Cezeri” pritet të kompletohet këtë shtator dhe mund të shfaqet në Teknofest, festivalin më të madh në Turqi të hapësirës ajrore dhe teknologjisë.
Automjeti ka marrë emrin e inxhinierit të famshëm mysliman Al Jazari, i cili jetoi mes viteve 1136 dhe 1206.
Bayraktar gjithashtu nisi një anketë për të zgjedhur njërën prej katër ngjyrave për prototipin.
Kompania ”Bayraktar”, e themeluar në vitin 1984, prodhon dronë të armatosur dhe të paarmatosur, sisteme kontrolli, simulatorë dhe sisteme për avionë.