MENU
klinika

Identiteti etnik

Budi kundër perandorisë osmane dhe Vatikanit

07.08.2019 - 15:22

Humanisti i shquar Dom Pjetër Budi, një nga figurat më të shquara të botës shqiptare, u përket atyre klerikëve, të cilët u dalluan për veprimtarinë e tyre atdhetare. Përkthyes dhe krijues që lëvroi fushën e letrave shqipe, nuk e kurseu veten në mbrojtje të identitetit etnik e kulturor të popullit tonë.

Jeta, veprimtaria dhe formimi i tij intelektual vijnë kryesisht nga thëniet e veta në librat që botoi, veçanërisht nga letra latinisht, që i dërgoi më 1621, një kardinali të quajtur Gocadin.

 

 

 

 

 

 

Kjo letër është një dokument me rëndësi të veçantë, jo vetëm për jetën dhe personalitetin e autorit, por edhe për gjendjen e vendit në atë kohë, por mbi të gjitha, ajo është një program i plotë për organizimin dhe zhvillimin e luftës së armatosur kundër pushtuesit. Në këtë letër, Budi, pas hyrjes paraqet edhe një autobiografi të shkurtër, përmes të cilës mësojmë rreth jetës së tij.

Pjetër Budi lindi në fshatin Guri i Bardhë, në Mat. Mësimet e para dhe formimin intelektual e mori në vend, pranë disa ipeshkvinjve të ndryshëm, deri në moshën 21-vjeçare. Më 1587-ën, u caktua meshtar dhe shërbeu si famulltar i thjeshtë në Kosovë për 12 vjet dhe me vonë, për 17 vjet të tjera, si zëvendës i përgjithshëm i dioqezave të Serbisë.

 

 

Sipas librit “Letërsi e hershme shqiptare”, në një letër të shkruar në shqip, Budi shpreh dhimbjen e tij për varfërinë dhe mungesën e dijeve në popull, duke shprehur keqardhjen se këtu nuk ekzistojnë shkolla shqipe.

 

 

 

 

 

Gjatë viteve 1616-1622 bëri disa udhëtime në Itali, kryesisht për qëllime atdhetare, si dhe për të botuar veprat e tij. Kthehet përsëri në Shqipëri, ku emërohet ipeshkëv i Sapës dhe i Sardës. Ai këmbëngulte që ceremonitë fetare të zhvilloheshin në gjuhën shqipe. Pengesë për zhvillimin dhe përparimin e vendit dhe të kulturës kombëtare, përveç pushtuesit osman, Budi, shihte edhe klerikët e huaj, që shërbenin në famullitë shqiptare.

Në këto rrethana, Budit iu desh të luftonte në disa fronte: si kundër pushtimit të huaj, edhe kundër Vatikanit e të dërguarve të tij në Shqipëri. Prandaj më 1622 organizoi një mbledhje të të gjithë klerikëve shqiptarë të zonës së Shkodrës, Zadrimës e Lezhës, për betimin dhe nënshkrimin e një vendimi, sipas të cilit nuk do të pranoheshin kurrë klerikë të huaj.

 

 

 

 

 

Në dhjetor të po atij viti, mbytet duke kaluar lumin Drin. Mendohet se vdekja e tij nuk ishte aksidentale; atë e shkaktuan qarqet antishqiptare, që shikonin te Budi një atdhetar të flaktë dhe një nga organizatorët e luftës së popullit për çlirimin nga zgjedha e huaj.

Ai gjithë jetën dhe energjitë e tij, ia kushtoi çlirimit të vendit. Hartoi plane për dëbimin e pushtuesit dhe u përpoq të siguronte edhe ndihma nga Vatikani dhe vende të tjera. Budi bënte pjesë në atë shtresë të klerikëve, që u lidhën me krerët e fiseve shqiptare dhe iu kundërvunë jo vetëm sundimit të egër osman, por edhe Vatikanit, kur ishte fjala për çlirimin e vendit nga zgjedha e huaj dhe ruajtjen e vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar. Çlirimin dhe shpëtimin e vendit, Budi e shihte te fshatarësia e lirë, sidomos malësorët, të cilët nuk u pajtuan asnjëherë me pushtimin dhe e vazhduan me ngulm qëndresën.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit