MENU
klinika

Libër Nënë Terezës

Dom Lush Gjergji: Kur “Nobeli” i shkoi humanistes shqiptare

26.08.2019 - 11:36

        Sot shënohet 109-vjetori i lindjes së Anjezë Gonxhe Bojaxhiut, e njohur botërisht, si Shën Tereza.

Murgesha katolike, gjithë jetën e saj ia kushtoi bamirësisë, duke i ndihmuar të varfërit dhe personat e sëmurë nëpër botë. Për veprat e saj të mëdha dhe të panumërta humane, Nënë Tereza u shenjtërua më 5 shtator 2016, nga Selia e Shenjtë në Vatikan, 19 vite pas vdekjes së saj.

Në Shkupin e 109 viteve më parë, shqiptarëve Kolë dhe Drane Bojaxhiut, u lindi një vajzë, Anjeza Gonxhe Bojaxhiu, e cila sot njihet në gjithë botën si një humaniste e madhe, që gjithmonë përkrahu shtresat më në nevojë të shoqërisë dhe pa asnjë rezervë. Biografi i saj, Dom Lush Gjergji, i tha Radio Kosovës se Shën Tereza, është figurë unike shqiptare dhe mbarëbotërore.

“Gonxhe Bojaxhiu arriti që traditën, kulturën dhe qytetërimin tonë të lashtë ilir, arbëror dhe shqiptar ta paraqesë në dimensione botërore. Ajo, e begatuar me fe dhe dashuri, përqafoi botën mbarë dhe e gjeti, mund të themi, figurativisht, barin apo mjekimin për çdo të keqe”, – tha “Dom Lush Gjergji”.

 

 

 

 

 

Nënë Tereza, për të bëmat e saj në shërbim të njerëzimit e të së mirës, më 10 dhjetor 1979, u nderua me çmimin “Nobel për Paqe”. I pranishëm atëherë, ishte edhe Dom Lush Gjergji, që thotë se u ndje i lumtur kur shqiptarja mori këte çmim botëror.

“Komiteti ‘Nobel’ nuk kishte dyshim kujt t’ia jep çmimin, por a do të pranonte Nënë Tereza, sepse ajo thoshte, ‘jam e lodhur me çmime’. Kishte marrë 130 çmime ndërkombëtare. Nënë Tereza, s’ka jetuar për këtë gjë. Ajo ka jetuar vetëm për të bërë mirë”, – pohon Gjergji.

Dom Lush Gjergji, shpjegon se Nënë Tereza, në fjalimin e saj, kur u nderua me çmimin “Nobel Për Paqe”, kishte treguar për rrënjet shqiptare, me këto fjalë:

 

 

 

 

“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Luti Zotin që paqja e tij të vijë në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Njerëzit mbetën të mahnitur. Sepse, shumëkush deri atëherë ka menduar se Nënë Tereza është nga India, por nga ajo ditë, u ndërrua gjithçka”, – shton, Gjergji.

Fjalimi i saj, është i botuar në librin më të ri të Dom Lush Gjergjit, me titull “E kam në zemër popullin tem shqiptar”, që do të promovohohet këtë mbrëmje, në Kosovë. Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza, për vlerat e saj jetësore, u shenjtërua më 5 shtator 2016, nga Selia e Shenjtë në Vatikan, 19 vjet pasi humanistja e madhe ndërroi jetë.