Kënga e Era Istrefit me reperin rus Allj, “Sayonara Detka”, u prit mjaft mirë nga publiku dhe kapi majat e klasifikimeve në Rusi.
Ditën e djeshme u publikua videoklipi i këngës, i cili ka arritur deri tani 1 milionë klikime në Youtube.
Mirëpo, shumë shpejt pas publikimit të audios, këngëtarja shqiptare u akuzua se e kishte kopjuar këngën e re, pasi ajo ishte e ngjashme me atë të reperit gjerman Bausa.
Videoja e gjermanit është publikuar dy vite më parë dhe ka arritur plot 130 milionë klikime në Youtube dhe ka me të vërtetë ngjashmëri me “Sayonara Detka”.
Pas qarkullimit të këtyre lajmeve, Era Istrefi ka reaguar për herë të parë me një status në Instastory, ku sqaron njëherë e mirë gjithçka në lidhje me këngën.
Ajo tregon se kënga e saj nuk është kopjuar, por Bausa është tekst-shkruajtësi kryesor i saj, madje të drejtat e autorit janë shkruar poshtë këngës në ‘Spotify’ në emrin e tij të vërtetë Julian Otto.
“Ata që po shqetësoheshin se kam “vjedhur” këngën e Bausa-s, duhet të dinë se Bausa është pjesë e këtij projekti si tekst-shkruajtësi kryesor i saj dhe i merr meritat e autorit të këngës, ashtu si dhe grupi i tij.
Sa për të drejtat e autorit, ai është listuar si tekstshkrues në “Sayonara Detka” me emrin e tij të vërtetë Julian Otto. Mund ta shihni poshtë këngës në Spotify.”– shkruan Era në postim, duke i mbyllur gojën atyre që e akuzuan për vjedhje.