Decentralizimi i përgjimeve, ngritja e një njësie qëndrore përgjimesh, dhe rritja e kapaciteteve e teknikave hetimore do të jetë një prej prioriteteve kryesore për funksionimin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, e njohur si SPAK. Televizioni Scan ka zbardhur raportin e monitorimit të sistemit të drejtësisë për muajt e parë të këtij viti, ku bëhen parashtrimet e veprimtarisë deri në vitin 2021.
Ngritja e efektivitetit të hetimeve në përputhje me standardet ndërkombëtare, rritja e efektivitetit dhe decentralizimi i përgjimeve, është një prej zërave kryesorë ku do fokusohen përpjekjet kryesore.
Për këtë qëllim, sipas dokumentit, nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme është blerë një pajisje përgjimi me vlerë 100 mijë euro, por nga ana tjetër, organi i hetimit kërkon blerjen e pajisjeve të nevojshme për një njësi qendror për SPAK, ashtu si dhe mirëmbajtjen e saj. Ndërkohë, në kuadër të rishikimit të paketës kombëtare të projekteve strategjike PP ka identifikuar nevojën për mbështetje për decentralizimin e përgjimeve.