MENU
klinika

Superpërballja

Liverpool-Arsenal, supersfida e “rrjetave të shpuara”

24.08.2019 - 11:05

Bëhuni gati për një superpërballje tjetër! Asnjë ndeshje në Premier League nuk ka prodhuar më shumë gola se ato midis Liverpool dhe Arsenalit. Plot 155 gola janë shënuar deri më tani, në sfidat mes këtyre dy skuadrave të njohura angleze. Pra, fare mirë mund të quhet dueli i “rrjetave të shpuara”. A do të ruhet ky “trend” edhe në sfidën e ditës së sotme, që nis në 18:30, në “Anfield”? Përgjigjen e jep fusha e blertë..

Jurgen Klopp bëri çmos për t’i amortizuar pritshmëritë, por buzëqeshja e tij e mençur tregoi një histori tjetër. Liverpool kundër Arsenalit garanton gola dhe indikacionet janë për një përplasje “eksplozive” në sulm. “Të dyja skuadrat janë të orientuara në sulm, të paktën.

Nëse shikoni sesi vendosen në fushë, kanë futbollistë të mirë në çdo pozicion dhe shtyjnë realisht përpara. Kjo e bën të ndërlikuar mbrojtjen. Ka shumë gjëra për t’u marrë parasysh”, – tha Klopp para përplasjes kryesore të kësaj jave në Premier League.

Si shpërblim për triumfin ndaj Southampton, të shtunën e kaluar, 72 orë pasi kishin fituar Superkupën në Stamboll, Klopp iu dha lojtarëve të tij dy ditë pushim, gjë që nuk e bën kurrë normalisht. Ai, megjithatë, ishte përsëri në punë, pas tryezës së tij, të hënën. Mund të jetë i kënaqur me fillimin e sezonit nga Liverpool, që ka marrë pikët maksimale dhe një trofe, por ka diçka në sjelljen e tij, që sugjeron se nuk është plotësisht i lumtur.

Liverpooli, sigurisht, nuk po funksionon me të njëjtën dashuri si sezonin e kaluar. Mbrojtja po bëhet çështje, sepse duhet ende ta mbajë portën të paprekur në një ndeshje. Dhe kërcënimi që vjen nga veriu i Londrës është i madh.

Një buzëqeshje tjetër u pa te Klopp, kur u pyet për Pierre-Emerick Aubameyang, sulmuesin nga Gaboni, me të cilin nënshkroi vetë te Borussia Dortmund, në vitin 2013. “Kam punuar me të, – tha Klopp. – Të gjithë dinë gjithçka për të gjithë, kështu janë këto kohëra, ndaj nuk ka asnjë surprizë.

Auba në të vërtetë nuk ka dobësi, përveç stilit të tij të modës… Ai është një futbollist i shkëlqyer dhe pika lidhëse e skuadrës, gjithashtu. Nicolas Pepe luajti vetëm 20, ose 25 minuta në ndeshjen e parë, por ai është një tjetër lojtar i shpejtë tek Arsenali. Pra, kjo është diçka që duhet ta marrim në konsideratë. Ne e dimë se duhet të merremi posaqërisht me të”.

Kanë kaluar pothuajse dy vite që nga dita kur Liverpooli e mundi skuadrën e Arsene Wenger 4-0, ndërsa fitorja e vitit të kaluar ishte po aq e pastër, 5-1, me një “hat-trick” të Roberto Firmino.

Përveç kësaj mbahet mend fitorja 4-3 në “Emirates”, në gusht 2016, që shënoi ardhjen e Sadio Mane, ndërsa sfida e parë e atij edicioni doli në barazimin 3-3 nën rrezet e dritave të “Anfield”, në janar 2016. Kjo është arsyeja pse shumë njerëz po parashikojnë përsëri bollëk golash. “Arsenali është një kundërshtar i madh, shumë i fortë, por mezi po e pres përballjen me të”, – shtoi trajneri gjerman.

Meqë trajneri i Arsenalit, Unai Emery, ndihet njësoj, sfidues, është i hapur për të debatuar në deklarata: “Ne jemi në gjendje të mirë, jemi përgatitur si duhet. Disa lojtarë të rinj janë të aftë të na ndihmojnë, por lojtarët e gatshëm mund të bëjnë ndryshimin. Motivimi është maksimal në radhët tona”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN