Lufta e përshkallëzuar tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës nganjëherë është karakterizuar si ajo që teoricienët e lojës do ta quanin dilemën e një të burgosuri. Një i burgosur mund të përfitojë duke informuar një tjetër, por vetëm nëse i burgosuri i dytë nuk tradhton gjithashtu të parin. Nëse të dy informojnë, të dy humbasin; rezultati më i mirë për të dy ndodh nëse të dy heshtin.
Po kështu, një ekonomi mund të përfitojë nga ngritja e tarifave për një tjetër, por vetëm për sa kohë që kjo e fundit nuk merr hak. Në rast se hakmerret, palët janë të detyruara të kuptojnë gabimin e tyre dhe të bashkëpunojnë.
Megjithatë kjo nuk e shpjegon luftën tregtare SHBA-Kinë, për një arsye të thjeshtë: motivimet e asnjërës palë nuk janë aq të drejtpërdrejta sa nënkupton dilema e të burgosurit.
Tashmë, Kina gëzon përfitime të konsiderueshme nga anëtarësimi në Organizatën Botërore të Tregtisë, pavarësisht se mungojnë disa rregulla dhe struktura kryesore, siç është një regjim i pronësisë intelektuale që përputhet me OBT-në.
Xi dëshiron të ruajë dhe zgjerojë ato përfitime, ndërsa ushtron më shumë ndikim në rendin global.
Shikuar nga lentet e ekonomisë politike “të sjelljes”, gjasat që SHBA dhe Kina të përfshihen në Kurthin e Tukididit duken të forta. Kjo nënkupton që kurdo që lind një fuqi e re në rendin botëror, superfuqitë ekzistuese do të përpiqen ta zotërojnë atë dhe mos ta lenë të ngrejë kokë.
Por nuk është e garantuar, sepse një tronditje e madhe mund të bindë që njëra ose të dyja palët të jetë më fleksibile.
Shqetësimet për luftën tregtare tashmë kanë ngritur frikën e recesionit dhe një situate e tillë mund të jetë e mjaftueshme për të detyruar Trump të tërhiqet, veçanërisht duke pasur parasysh zgjedhjet presidenciale në vitin 2020.
Kina gjithashtu mund të përballet me presion ekonomik. Për më tepër, trazirat e vazhdueshme në Hong Kong mund të nxisin motivin e Kinës për të përshkallëzuar konfliktin me SHBA.
Por bota nuk mund të rrijë dhe të shpresojë që SHBA dhe Kina të zgjidhin konfliktet e tyre; të dy vendet janë shumë ndikuese.
Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian dhe vendet në Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin Trans-Paqësor (CPTPP) duhet të marrin këshillat e Zaki Laïdi, Shumpei Takemori, dhe Yves Tiberghien dhe të krijojnë një zonë të tregtisë së lirë të Partneritetit Euro-Paqësor.
Kjo nuk do ta mbronte botën nga pasojat e një lufte të plotë në mes të SHBA dhe Kinës. Por do të shkonte shumë larg drejt izolimit të tyre nga konkurrenca e pamatur e ekonomisë midis hegjemonit të një kohe të gjatë në botë dhe fuqisë në rritje nga e cila frikësohet.
Koichi Hamada është Profesor në Universitetin Yale dhe këshilltar special i kryeministrit japonez Shinzo Abe.