Milani dhe Monaco kanë gjetur gjuhën e përbashkët për transferimin në kampionatin francez të mesfushorit nga Bregu i Fildishtë, Franck Kessie, ndërsa tashmë pritet vetëm miratimi i këtij të fundit, që marrëveshja të konkretizohet me sukses.
Klubi i Principatës ofroi fillimisht 25 milionë euro, të cilat refuzuan nga kuqezinjtë, ndërsa më pas rriti ofertën në 30 milionë euro, plus 5 të tjera bonuse, shifra këto që bindën milanezët, por nuk dihet sa mund të joshet vetë mesfushori.
Nëse Kessie largohet atëherë Milani mund të bëjë një plusvalencë të rëndësishme prej rreth 15 milionë eurosh, ndërsa Giampaolo nuk do ta ketë problem të privohet nga një mesfushor me të cilin nuk ka punuar thuajse fare gjatë përgatitjeve verore.
Krahas Kessie, me valixhet gati për t’u larguar nga Milani janë edhe uruguaiani Diego Laxalt, kroati Strinic dhe portieri Pepe Reina, për të cilin ka shfaqur interes në orët e fundit Reali i Madridit.