Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se dëshiron që një pakt i ri bërthamor të nënshkruhet nga Rusia dhe Kina.
Trump tha që ai kishte folur me të dy vendet për idenë. Komentet e tij erdhën pasi SHBA u tërhoqën nga një traktat kryesor bërthamor me Rusinë, duke ngritur frikën e një gare të re armësh.
Traktati Ndërkombëtar i Forcave Bërthamore (INF) ndaloi raketa me rreze 500-5.500 km (310-3,400 milje). Tërheqja e SHBA të premten pasoi akuzat e Uashingtonit se Rusia kishte shkelur paktin duke vendosur një lloj të ri të raketave. Moska e ka mohuar këtë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me mënyrën se si ai do të shmangte një garë të armëve bërthamore pas shkatërrimit të traktatit INF, Trump tha se administrata e tij kishte folur me Rusinë për një pakt. “Ne sigurisht do të duhet ta përfshijmë Kinën në një moment,” shtoi ai.
Trump tha se një traktat i tillë do të ishte “një gjë e shkëlqyer për botën” dhe se ai besonte se do të ndodhte. “Kina ishte shumë, shumë e emocionuar për të folur për këtë dhe kështu ishte edhe Rusia. Kështu që unë mendoj se do të kemi një marrëveshje”, u tha ai gazetarëve.
“Rusia është vetëm përgjegjëse për prishjen e traktatit,” tha Sekretari i Shtetit Mike Pompeo në një deklaratë të Premten. “Me mbështetjen e plotë të aleatëve tanë të NATO, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur që Rusia ka shkelur traktatin dhe më pas ka pezulluar detyrimet tona” shtoi ai.
Muajin e kaluar, Sekretari i Përgjithshëm i Natos, Jens Stoltenberg i tha BBC-së se raketat ruse ishin të lëvizshme, shumë të vështira për tu zbuluar dhe që mund të arrinin në qytetet evropiane brenda disa minutash.
“Kjo është serioze,” shtoi ai. “Traktati INF ka qenë një gur themeli në kontrollin e armëve për dekada, dhe tani ne shohim prishjen e traktatit.”
Ai shtoi se “ne duhet të jemi të përgatitur për një botë pa traktatin e INF dhe me më shumë raketa ruse”. Stoltenberg tha gjithashtu se çdo vendim i NATO se si saktësisht të përgjigjet do të vinte pas afatit 2 gusht.