Sekretari për Çështjet ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata në një deklaratë për mediat u shpreh se kryeministri Edi Rama po pengon zbatimin e ligjit Antimafia për verifikimin e pasurive të trafikantit të drogës Valdrin Pjetri.
Gjata kërkoi hetimin pasuror për Pjetrin, pasi demokratët e akuzojnë se pasuria e tij është vënë nga përfshirja në trafikun e drogës.
“Pamjet në video tregojnë se pasuria më e dukshme e Valdrin Pjetrit, është një hotel superluksoz në periferi të Tiranës, i inauguruar me praninë e ministres së Edi Ramës.
Sipas Ligjit Antimafia, Valdrin Pjetri është subjekt i drejtpërdrejtë i tij, pasi siç shprehet ligji subjekt i ligjit është çdo person për të cilin ka indicie se:
a) ka kryer krime që lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike.
Për rastin e Valdrin Pjetrit, jo vetëm që ka indicie për kryerjen e këtyre krimeve, por ky fakt është i provuar nga vendimet e drejtësisë italiane, të cilat janë publikuar prej disa ditësh nga Partia Demokratike. Valdrin Pjetri është dënuar me burg për trafik droge, por as policia, as prokuroria nuk kanë bërë asnjë lëvizje për të zbatuar ligjin.
E vetmja forcë që mund t’i ndalojë ata është ajo e kryeministrit të vendit, i cili ndryshe flet dhe ndryshe vepron, duke garantuar paprekshmëri për kriminelët dhe trafikantët e tij.
Meqënëse prokuroria e kapur dhe kontrolluar nga Edi Rama bën sikur nuk dëgjon dhe nuk sheh, njëlloj siç nuk sheh e dëgjon korrupsionin galopant të Qeverisë së Edi Ramës, Partia Demokratike do të informojë zyrtarisht nesër Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila ka detyrimin të nisë menjëherë hetim pasuror ndaj Valdrin Pjetrit dhe familjes së tij, për shkak se ai është subjekt i ligjit Antimafia”.