MENU

Tema “e nxehtë” e diskutimit

Pompeo zbardh takimin me Vuçiç

20.08.2019 - 22:16

Ka përfunduar takimi në në Nju Jork në mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe sekretarit të shtetit amerikan, Mike Pompeo.

Kjo është bërë e ditur nga Pompeo përmes një postimi në Twitter, ku edhe njoftoi për temat e këtij takimi.

Pompeo shkroi se temë kyçe ka qenë dialogu Kosovë-Serbi dhe anëtarësimi i Serbisë në BE, derisa ka shtuar se normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve forcon stabilitetin e tërë rajonit.

“Drekë produktive me presidentin serb Aleksandar Vuçiç për dialogun Kosovë-Serbi dhe për anëtarësimin e Serbisë në BE. Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën do të forcojë stabilitetin dhe prosperitetin për Serbinë, për Ballkanin Perëndimor dhe për komunitetin trans-atlantik”, ka shkruar ai.

Presidenti i Serbisë, Alekandar Vuçiç tha se gjatë takimit, sekretari Pompeo dëshironte të dëgjonte se çfarë mendon, para së gjithash, Serbia për zgjidhjen e problemit të Kosovës.

Ai tha se ka kërkuar që “SHBA-ja të ndikojë edhe më fuqishëm te shqiptarët e Kosovës për të hequr taksën ndaj mallrave serbe”.

“Unë i kam kërkuar administratës amerikane që të përpiqet – edhe pse ka bërë deri më tani – të ndikojë më fuqishëm te shqiptarët e Kosovës për të hequr tarifat e vendosura ndaj nesh, një vit më parë, dhe në lidhje me këtë nuk ka dyshim se kemi mbështetjen e SHBA-së, sepse ata, si dhe ne, e konsiderojmë të rëndësishme të vazhdojmë dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës”, ka shkruar Vuçiç në llogarinë tij në Instagram.

Takimi ndërmjet presidentit Vuçiç dhe sekretarit Pompeo bëhet në kohën kur Shtetet e Bashkuara po bëjnë thirrje për arritjen sa më parë të një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo, bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian janë ndërprerë që nga nëntori i vitit të kaluar, për shkak të tarifës ndaj mallrave serbe të cilën e ka vendosur Qeveria e Kosovës.

Masa, sipas zyrtarëve në Prishtinë, është ndërmarrë për shkak të fushatës kundër shtetësisë së Kosovës, që e kanë zhvilluar zyrtarët serbë.