Zgjedhja e drejtuesit të ri politik në Shkodër pas largimit të Valdrin Pjetrit dhe rezultati elektoral i PS në këtë qark kanë zënë vendin kryesor të diskutimeve në takimin e kryeministrit Edi Rama me këshillin e veriut në Lezhë.
Kreu i PS ka folur me nota kritike për drejtorët rajonalë në Shkodër duke paralajmëruar shkarkimin e tyre nga detyra. Të mërkurën në ora 17.00 Rama ka thirrur në një takim në selinë e PS në Tiranë gjithë drejtorët e Shkodrës për këtë vendim, i cili sipas kreut të qeverisë do të pasohet me emërimin e drejtuesve të rinj të qarkut të cilët do të jenë gra.
Më pas Rama ka njoftuar se do mbledhë edhe kryesinë e PS, ku temë kryesore do të jetë situata në Shkodër dhe caktimi i drejtuesit të ri politik në këtë qark. Po kështu kryeministri ka folur edhe për ndryshimet që do paraqesë në ligjin e dekriminalizimit pas rastit të Valdrin Pjetrit si dhe ka paralajmëruar një fazë të re verifikimi të punës së strukturave të IKMT, bashkive dhe policisë në gjithë vijën bregdetare në lidhje me ndërtimet e paligjshme.
Në mbledhjen e veriut janë trajtuar edhe çështje të brendshme të organizimit të PS ku Taulant Balla ka kërkuar që regjistri elektronik i anëtarësisë të realizohet deri ne 5 shtator.
Balla ka kërkuar më tej që kryetarët e organizatave socialiste të zgjidhen deri në 16 tetor në një proces ku do të përfshihen njerëz me integritet si mësues dhe infermierë.
Po kështu Balla ka kërkuar emrat e delegatëve për kongresin brenda datës 9 nëntor.
Balla ka kërkuar që në çdo organizatë të ketë si person përgjegjës një të punësuar nga bashkia ose institucionet qendrore që të jenë prezent në zonë për problemet e partisë.