Një 51-vjeçar nga Kosova është arrestuar nga policia, ndërsa janë sekuestruar edhe 19 pistoleta të kalibrave të ndryshëm, 400 fishekë luftarak dhe 1.6 kilogramë tritol TNT.
Armët dhe municionet ishin fshehur në vende të posaçme të krijuara në automjetin e tij, si në motor, kabinë, bagazh e kroskot.
Njoftimi
Goditet një rast i trafikimit të armëve luftarake dhe lëndëve eksplozive .
Finalizohet operacioni policor “Papër”
Sekuestrohen 19 pistoleta të kalibrave të ndryshëm, 400 fishekë luftarak dhe 1.6 kilogramë tritol TNT.
Në pranga 51-vjeçari nga Kosova, i cili i trafikonte këto armë nga Serbia në Kosovë me destinacion final Shqipërinë.
Drejtoria Hetimore Qendrore pranë Departamentit të Policisë Kriminele në Policinë e Shtetit, pas informacioneve të marra në rrugë operative për një trafik të mundshëm të armëve dhe municioneve luftarake nga Serbia në Kosovë e më pas në Shqipëri, referoi materialet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku u regjistrua procedimi penal i vitit 2019, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municioneve” .
Nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda u kryen hetime proaktive, të cilat çuan në finalizimin me sukses të operacionit “Papër”,.
Në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në rrugën nacionale Elbasan -Peqin, u kap në flagrancë shtetasi:
Y. A., 51 vjeç, lindur në Kacandoll dhe banues ne Podujevë, Kosovë.
Ky shtetas u kap në flagrancë duke transportuar me automjetin e tij armë luftarake, municion dhe lëndë shpërthyese TNT, të cilat i siguronte në Serbi e në vende të tjera, më pas i transportonte në Kosovë me destinacion final Shqipërinë.
Armët dhe municionet ishin fshehur në vende të posaçme të krijuara në automjetin e tij, si në motor, kabinë, bagazh e kroskot.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 19 armë zjarri të llojit pistoletë, të markave të ndryshme, 400 fishekë luftarak, 4 kallëpe lënde eksplozive të llojit TNT, me peshë të përgjithshme 1.6 kg, 3 telefona dhe automjeti që transportonte armët.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal, identifikimin e personave që kanë bashkëpunuar me personin e arrestuar, pasi nga veprimet e deritanishme proaktive rezulton se ky shtetas ka shitur edhe më parë armë luftarake, në Kosovë , Shqipëri e vende të tjera.
Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të zbuluar dhe ndëshkuar cilindo që kryen veprimtari të paligjshme dhe në këtë kuadër fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 të Policisë së Shtetit apo në Komisariatin Dixhital çdo rast paligjshmërie, duke ju garantuar anonimat të plotë, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.