Ligjërata I: Ideali i Krishterë, Zotërinj të ndershëm!
Gëzohem me gjithë shpirt që sonte, si papritur, gjendem i rrethuar nga ju, që jeni një pjesë e zgjedhur e Korçës. Ndodhja ime midis intelektualësh dhe idealistësh të një qyteti, deri më tani për mua të panjohur, më përtërin një kënaqësi shpirtërore të pashoqe, e cila më rrëmben dhe më trondit. Mos keni gabuar zotërinj?! Keni ardhur këtu të njihni At Antonin prej Shkodre, keni pritur të shihni kushedi se cilin, dhe ja ku u del përpara një njeri i ngjeshur me litar, veshur me një rrobë të trashë, pa asnjë elegancë, që më shumë ta vret syrin se sa të pëlqen! Keni gabuar, pra?…
Jo nuk keni gabuar; ju nuk keni ardhur të shihni një njeri, ju doni të ndieni një fjalë, të thoni një mendim. Juve ju intereson të vështroni se çfarë mendoj dhe si mendoj unë mbi problemet kryesore të jetës. Shumë mirë. Unë, mbështetur në mirësinë dhe durimin tuja, në këto ligjërata do t’ju flas si fetar, si njeri kulture dhe si atdhetar. Dua të filloj duke iu treguar atë që ma prek dhe ma godet më fuqishëm dhe njëherësh më ndërlikueshëm fundin e shpirtit tim. Jeta, zotërinj, ashtu si shfaqet dhe ashtu si e provojmë ditën, nuk është vetëm një problem, ajo është dhe një kontrast i çuditshëm: idealizmi në shkallën më të lartë dhe materializmi në shkallën më të ulët! Ja dy rrymat e kundërta të jetës, që ma pushtojnë krejt mendimin tim: sa më shumë çmohen e lartësohen vlerat shpirtërore, aq më me fuqi sundojnë dëshirat dhe interesat materiale. Idealizmi deri në kulm dhe kriza në të katër anët deri në fund të jetës, kjo është sinteza e periudhës në të cilën jetojmë: materialisht na mbulojë varfëria, shpirtërisht na kaploi demoralizimi, ose që ta themi shqip, me fjalën popullit: “na hypi hordheku”! Po jeta nuk shkohet kështu./Konica.al
Njerëzimi po kërkon një fuqi më të thellë se filozofia, më të hapur se kultura, më të mjaftueshme se dëshira dhe interesi, me themel më të fortë se vet kombësia. Po, zotërinj, edhe filozofia duhet të mbështetet diku, edhe kultura, sado e përparuar, ka nevojë për një normë më të lartë se veten, edhe dëshirat e interesat do të kenë një “pse” të fundme, vetë ideali kombëtar nuk i mjafton vetvetes, por duhet të nisë e të burojë prej një botëkuptimi më të gjerë dhe më të lartë se vetë atdheu. Dhe filli që nga nisin dhe boshti rreth të cilit enden jeta e njerëzimi, kohët e fati, janë parimet e skajshme, arsyet e fundme, e vërteta e paluajtshme. Ky është ideali i krishterë, ngadhnjmi i së vërtetës: ta hyjnojmë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, ose: të vërtetën e hyjnuar ta shfaqin në botë. Nuk ju dal përpara as si mbrojtës i një parimi, as si ndjekës i një shkolle a nji teorie, as si një pjesëtar i një partie. Dua të zhvishem nga çdo pikëpamje vetjake dhe dua t’ju flas mbi atë që është e kujtdo, në të cilën dhe për të cilën ka të drejtë dhe detyrë çdo njeri: të njihet e vërteta- Veritati servio; dhe t’i jepet plotësisht vendi i merituar; Charitati laboro; të ngadhënjejë dashuria e vërtetë. Fjala ime, të cilën dua t’jua provoj, është kjo: Zoti është vetë e vërteta. Ai është vetë dashuria. Dhe ashtu si nuk mund të rrojë bota pa dritën e së vërtetës, pa ngrohtësinë e dashurisë, ashtu nuk mund të rrojë edhe pa Zot. Do të ndërrojnë fjalët dhe mënyrat e shprehjes, por realiteti është ky: kush i shërben së vërtetës me të drejtë ai i shërben perëndisë: kush i falet dashurisë së vërtetë, ai do Zotin; në këtë mënyrë njeriu mund t’i ngjasë dhe mund ta shpreh në vetvete tipin ideal të jetës njerëzore. Mirëpo Zoti është në qiell: ne këtu në tokë ku ta gjejmë të vërtetën e dashurinë?
Kanë kaluar 1900 vjet qëkurse një njeri tha: Unë jam udha, unë jam e vërteta, unë jam jeta, e vetmja metodë për të gjetur të vërtetën, i vetmi sistem për ta siguruar këtë thesar, e vetmja mënyrë e zbatimit të dashurisë./Konica.al
Këtë dua t’ju provoj unë juve në këto konferenca.
Me besimin dhe zbatimin e parimeve kristiane ngadhënjen:
I. Ideali njerëzor nëpër idealin kristian;
II. E vërteta nëpër besimin kristian;
III. Kuptimi i jetës nëpër filozofinë kristiane;
IV. Vlerat me të vërtetë njerëzore nëpër kulturën kristiane;
V. Dashuria e vërtetë nëpër moralin kristian;
VI. Jeta e vërtetë shoqërore me atdhetarizmin kristian.