MENU
klinika

Parajsa e Naimit...

“Bota që kur është zënë, Shqipëria gjall ka qenë”

29.09.2019 - 12:25

      Ndër jubiletë e mëdha, duket se kthehen nga lashtësitë dhe gjallojnë së bashku me ne, në rrëmujën e përditshme të jetës së njerëzve të shquar të kombit dhe ato që ata na kanë lënë të shkruara në amanetin e madh të librit, duket se dalin nga buzët e tyre. E kanë lënë vetveten të gjallë dhe përpara kësaj, nuk janë asgjë bustet dhe monumentet e ngurta. Asnjë gjigant i daltës nuk mund të nxjerrë nga vepra e tij, atë frymën e shenjtëruar të Naimit, atë zjarrin e tij përvëlues për Atdhe, atë mendjen e tij profetike dhe gjuhën e bekuar që arrin të thotë, se “Për Shqipërinë/ ditët e bukura paskëtaj do të vinë!”. Çfarë dashurie kishin ai me shokë, për këtë vend? Të duket se, ajo e kalon njerëzoren dhe prek kufijtë e shenjtërisë, të duket se ajo është britma e madhe e njeriut, që vjen në ag të civilizimit njerëzor, të duket se ajo vjen nga ajo kohë kur njeriu ngulet për herë të parë në një truall dhe e cakton atë si vend të lindjes së tij dhe si vend të vdekjes së tij! Ai nuk mund ta ndërrojë këtë vend me një parajsë tjetër, se ai është gjithçka që mund të ketë parajsa dhe ndofta kjo e fundit e merr pikërisht në këtë vend dhe në këtë truall pikëzimin e vet të vërtetë dhe ngjyrimin e vet të vërtetë./Konica.al

 

 

 

 

 

Parajsa e Naimit është një copë tokë në kufi të një deti të lashtë dhe të trazuar nga lakmitë e kohërave, është një parajsë e virgjër, ashtu siç është krijuar në vigjilje të tokës dhe të njeriut. Po, s’mund të ishte ndryshe? Asnjë bard i madh nuk mund ta ëndërrojë dhe ndërtojë të zhvirgjëruar parajsën e vet, sepse ajo është çerdhja ku lind dhe ku maturohet kombi! Toka e virgjër do të pjellë njeriun e virgjër, atë për të cilin digjet dhe përvëlohet Naimi, përmes qiriut të tij, atë që ai mendon ta vendosë në themelet e kombit si një metër të nderit, atdhetarizmit dhe atdhedashurisë.

Bukoliket e tij të famshme kërkojnë t’i kthejnë sytë mërgimtarëve nga ai vend madhështor, por hallemadh, që ata e kishin lënë pas shpine të detyruar nga shtrëngimet e jetës dhe të pushtimit. Me sa duket, mbi këtë vend të mrekullueshëm kishte pasur gjithnjë një fatalitet mikroeksodesh dhe makroeksodesh biblike, që nuk do të pushojnë dhe do të vijnë deri në kohërat moderne… A do të kujtohemi për bukoliket e tij të famshme në kohën tonë? A do të mundemi t’i ngremë në lartësinë e gurëve ciklopikë të Ishullit të Pashkëve, që të na i shohin që përtej detit mërgimtarët tanë të rinj?

 

 

 

 

 

Ndër tre frashërlinjtë e mëdhenj, ai ishte më i ëmbli dhe më i buti, sepse ai ishte POETI, ishte kënga, zjarri i shpirtit të përvëluar për Atdhe, ishte fatdhënësi i Kombit, ishte murgu i tij i rojës i mbuluar me veladon të bardhë, ishte mëshira dhe dora e shtrirë e pajtimit që kapërcen kohërat për të penguar delirin e vëllavrasjes, ishte ai që kërkoi ta zëvendësonte shpatën e gjakut me shpatën e mendjes dhe të punës! Zoti i madh i Naimit, ishte gjithkund ku ishte e mira! Pse nuk e kërkojmë edhe ne, atë zot?/Konica.al

 

SHQIPËRIA

Bota që kur është zënë,

Shqipëria gjall ka qenë.

Pellazgj u thoshin më parë,

Më së fundi shqipëtar.

Gjuh’ q’e flisnin perënditë

Atë flisnin pellasgjitë.

Pse të jetë Shqipëria,

Ta mbulonjë babëzija?

Duke pasur burra trima

Të humbet si vetëtima?

Ah! Mos! Zoti mos e dhëntë

Ejani të mbledhim mentë.

 

 

QERBELAJA

Në të errët pothuaj jemi,

Sdi nga vim’ e ku vemi!

Gjith shokët që shkuan,

Një fjalëzë sna dërguan!

Nga ajy zot’ i vertetë

Vemi e vimë në jetë!

Nga ajy vimë, atje vemi,

Tjatrë gjë s’mundim ta themi.

Po të themi, dhe kjo jetë

Nuk m’lutet kurrë shkretë,

Pshihet vetë i ati,

Tek i biri jetëgjatë,

Hëna hahet e venitet,

Pa nis’ prap e përseritet,

Luleja që vdes ngaherë

Ngjalletë sërish në verë,

Andaj të parët tanë

rreth i përjetshëm i thanë.

 

 

VASHA NAZEMADHE

Ylli fatit mbi ty qeshur ka moj lule,

Hir’ i zotit po të rrit ty me pekule

S’jan’ sy, moj, por dy yje ata dy.

Është hënë, s’është ball’ ai mbi ty,

Ajo gojëz, ato faqe, sy e flokë

Dritë qiejsh janë, rënë te kjo tokë

Nga lulishtja e parajsës lule je,

Në fytyr’ të nuses zbritur ke mbi dhe.

Gjith’ kjo endje, ky gazmend, kjo hijeshi,

Këto naze, ky shkëlqim, këto netë,

Që nga qiejt kanë rënë, o faqe dritë

Kopësht i mermë je nga ngjyrat dhe stolitë,

Nga fytyra që ke ti, moj meskëputur,

Skuqet, zverdhet e livadhit faq’e bukur,

Pse je ti, asnjë burbuqe s’ka këtu

Shkatrruarë…batha krejt nga sytë e tu.

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ambasador i paqes në ShBA: Kodra

“Shqipëria nji vend i bukur sa s’ka ma”

Shqipëria në testamentin e Konicës

“Ti Imzot Noli dhe ti Lamja i vogël”


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen