MENU
klinika

Ambasador i paqes në ShBA: Kodra

“Shqipëria nji vend i bukur sa s’ka ma”

25.04.2019 - 12:03

Shqipëria e vogël, ka fatin e madh të jetë e pavdekshme: Të padiskutueshëm në vlera, artistët shumëdimensionalë nuk i kanë munguar kësaj “pjesëze” të vogël mu në gji të Evropës… Ata mbeten krenaria dhe shpëtimi i këtij vendi të vogël, kontradiktor; po ata, nuk reshtin së ngrituri në piedestal, vlerat vërtet të rralla të këtij populli të trazuar nga historia. As pas vdekjes, sepse historia, arti dhe letërsia nuk kanë kohë… 

 

 

 

Mjeshtri Ibrahim Kodra shpallet misionar dhe ambasador i paqes në SHBA. Ditët e fundit, Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet (DMPP), Akademia e Paqes Globale (AUGP) të Kombeve të Bashkuara, Misioni Diplomatik Amerikan për Paqe Botërore (ADMËP), i Shoqërisë Diplomatike Shën Gabriel (DSSG) dhe Universitetit të Kombeve të Bashkuara për Paqe Globale (UNUGP), i akorduan Mjeshtrit Ibrahim Kodra, Titullin e Merituar “Ambasador nderi i Misionit Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet” (Pas vdekjes). Nderimi iu bë me motivacionin si piktor madh, i njohur ndërkombëtarisht në shërbim të Paqes Sociale dhe Prosperitetit Social. Si dhe për angazhimin e madh dhe kontributin e çmuar në Arte, për frymëzimin e patriotizmit dhe bashkëveprimit ndërkomunitar të paqes.

I dekoruar me urdhrin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, si Ambasador i Kulturës Shqiptare, si misionar Global i Paqes dhe Ambasador Nderi i DMPP, si filantrop, e udhëheqës i vetësakrifikuar dhe nxitës i misioneve që sjellin paqe dhe begati për gjithë njerëzimin, Ibrahim Kodra tashmë është Luftëtari i Paqes.

 

 

Për shumë vite ai ka kontribuar në paqen sociale në Shqipëri dhe në mbarë botën, duke ofruar mbështetje sociale, edukative dhe humanitare. Ka dhënë kontribute në fushën e artit, edukimit, patriotizmit, lirisë nga diktatura. Nderimi iu bë me konsideratën më të lartë nga Guvernatori DMPP, Dr. Shefki Hysa; Krishan, Ambasador Nderi I ADMËP, Guvernator Ndërkombëtar i AUGP; Ambasador Prof. dr. Madhu. kryetar I AUGP-Patriak. Titulli i nderit, iu dha piktorit të madh me propozimin e Kryetarit të shoqatës kulturore “ Ibrahim Kodra të Ishmit z. Lulzim Bega. Ishin të pranishëm, përveç titullarëve të mësipërm edhe, Dr. Dylbere Dika, Drejtore e Përgjithshme e DMPP, Dr.Kristo Goci, Zëvendëskryetar i Komitetit Shtetëror te Minoriteteve, Prof. Dr.Sulejman Abazi Gjeneral i Paqes, Zotëria Asllan Mazreki, Gjeneral i Paqes, Kolonel Zaho Golemi, si dhe Misonarët e Paqes: Dr. Idriz Balani, Veli Myftari, piktori Sulejman Prenjasi dhe shumë personalitete të Artit, Kulturës dhe Shoqërisë Civile Shqiptare! Bashkëfshatarë dhe intelektualë të nga Durrësi, Ishmi dhe Tirana, miq dhe të afërt të Mjeshtrit Kodra.

Në më shumë se 30 shtete, janë shënuar filma dhe dokumentarë për mjeshtrin shqiptar, i cili është “Qytetar Nderi” në shumë qytete të Italisë dhe botës, si në Gjermani, Francë dhe deri në Tokio.

Çmime dhe trofe të panumërta, nga e gjithë bota. Midis tyre edhe medalja “Milanezi i Artë’’ që ia dorëzoi Kryetari i bashkisë, Gabriele Albertini, në konkursin kombëtar për arkitekturën. Mjeshtrin, studentin e quajtur “Ylli i Breras” në akademinë ku studioi në Milano, e preokuponte gjithçka. Edhe betonizimi i qyteteve ku është shumë vështirë të banohet.

 

 

Si e përshkruante vendlidjen, mjeshtri Kodra:

-Kam lindur në Ishëm, unë. Jam ishmak. Ishmi është afër Durrësit e Tiranës. Nga kodra e Ishmit, shihet Tirana, Durrësi, Lezha, Mamurrasi, Kruja dhe një pjesë e mirë e detit Adriatik, deri në Ulqin e më tej. Është vend i bukur, apo jo? Kështu fillonte biseda dhe prezantimi me të panjohurit, qofshin ata artistë të mëdhenj, apo personalitete të larta të vendit e të huaja, miqve dhe mikeve të tij të dashura, të cilave u fliste për nënën, Ishmin, rakinë, Arbërinë dhe kalanë madhështore të heroit legjendar, Skënderbeut!

Ishte mik i ngushtë i Pikasos, i cili bënte pjesë në shoqërinë e lartë të elitës franceze, ndërsa Kodra vinte nga një vend i varfër, i pushtuar nga fashizmi dhe nazizmi e më pas, prej komunizmit.

 

 

– Pikaso përdorte shpesh tridimensionizmin, unë mendova teorinë time. Ku ka një vijë vertikale, duhet të mbështetet pa tjetër mbi një vijë horizontale, pra kubizmin katërdimensional. Pasi në atë kohë u prezantua koha e konsumizmës në botë, që e la njeriun viktimë, kjo është anatema e atij civilizimi, njeriu është ‘’njeriu robot – shprehej, Kodra.

Mik me Pol Elyarin, Heminguein, Dino Buxatin, Gutuzon, Kuazimondon, e shumë shkrimtarë, poetë, politikanë arkitektë dhe njerëz ë thjeshtë me të cilët kalonte kohë të gjata me ata dhe ju tregonte shumë herë për vendin e tij, për Shqipërinë. Atyre u thoshte shpesh, se “asht nji vend i bukur, sa s`ka ma”.

Në Itali shkoi në moshë shumë të re. Atje u pagëzua me fenë kristiane, por asnjëherë nuk e ndërroi emrin dhe mbiemrin, as atëherë kur miqtë e këshillonin të përshtaste një emër arti, siç bëjnë artistët e mëdhenj. Ai nuk pranoi. Vetë firma e mjeshtrit, ishte një art më vete.

– Edhe fenë edhe emrin, i kam për të qenë përbrenda identitetit tim – u thoshte shpesh, miqve të tij.

Mjeshtri ishte një luftëtar i paqes, ashtu si thuhet në motivacion. Shumë tablo të tij, janë të frymëzuara nga veprat e Heminguejt, Folknerit, Frederiko Garsia Lorka, ilustrime nga vepra e Brehtit, si “Homazh për Bertol Breht’’. Në tablo shkruante shpesh në krye të tablosë, “Pace”. Gërmat e kësaj fjale kodifikonin shpesh pikturën e tij.

 

 

Ndaj vlerësim i bërë nga Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet i njeh Ibrahim Kodrës vlerat e larta, humane. Ashtu si dhe theksonte dhe vetë mjeshtri: “Arti është liri, sepse nëpërmjet tij në prekim natyrën dhe gjithë bukuritë natyrore, që janë armik për çdo sëmundje. Arti na dhuron gëzimin e të jetuarit, na dhuron atë gjendje shpirtërore, pa të cilën, ne nuk do të mund t’i bënim ballë ankthit dhe mllefit të përditshëm. Të kultivosh artin, do të thotë të mbetesh i ri. Në përgjithësi, sekreti i të qenit në harmoni me jetën, është inteligjenca krijuese e aftë t’iu ofrohet të tjerëve me modesti, pa ambicie të shfrenuara dhe arrivizëm, që krijojnë vetëm stres dhe sëmundje.

Nga të gjitha këto fakte dhe vlerësime, ai është dhe poet. E pakrahasueshme poezia, “Unë Kërkoj.” Ku shpreh qartë karakterin e tij të veçantë të një artisti të madh. Ja një fragment i saj:

Unë kërkoj mekanizmin e gjithësisë,
misterin e ajrit,
të flladit,
të agimit të mëngjesit.
Unë kërkoj të mbjell tokë,
lulen e parë,
farën e parë,
të së ardhmes.

Ibrahim Shaban Likmetaj Kodra (lindi në Ishëm, më 22 prill 1918 – më 7 shkurt 2006 vdiq në Milano) ishte një piktor shqiptar me famë ndërkombëtare. Kodra është konsideruar si piktori më i rëndësishëm shqiptar i njohur ndërkombëtarisht.

 

 

Kodra lindi në Ishëm më 22 prill të vitit 1918. Jeta e tij në Tiranë në konviktin e shkollës “Naim Frashëri”, ndërpritet kur 20 vjeç (1938) largohet nga Shqipëria përgjithmonë, me njė bursë studimi nga oborri mbretëror, për në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë.

Ai e lë Romën dhe përfundon në Milano, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës. Kodra ekspozon në Romë, Milano, Venecia, Paris, Beograd, Nju Jork, krijon krahasimet dhe raporte me piktorë të mëdhenj si Pikaso, Marc Chagall, Henry Matisse, Lucio Fontana, Renato Guttuso, me poete, shkrimtarë, kritikë e regjisorë nga Eugenio Montale dhe Vittorio Sereni, nga Bertoni te Bruno Munari dhe Giuseppe Marotta. Në vitin 1948, Ibrahim Kodra u bë mik me piktorin Pablo Picasso, pikërisht në këtë temë në “Konferencën Ndërkombëtare për Paqen e Romës”, ku të dy piktorët së bashku, kryen një hulumtim të thellë artistik.