Interi i Antonio Contes nuk ka ndërmend të ndalet, sepse vetëm 4 ditë pas triumfit në derbin e Milanos, ka mposhtur Lazion në “San Siro” me rezultatin minimal 1-0, duke regjistruar kështu fitoren e pestë, në po kaq takime të Serisë A.
Në kryendeshjen e javës të kampionatit italian, ishte Danilo D’Ambrossio ai që shënoi me kokë në minutën e 23-të, pas një krosimi nga krahu i majtë, duke shfrytëzuar një përgjumje të mbrojtjes së Lazios dhe duke i dhënë Interit një tjetër 3-pikësh.
Lazio tentoi të luajë si e barabartë në pjesën e parë, duke kërcënuar në të paktën 3 raste rrezikshëm kuadratin e Handanoviç, por kapiteni i Interit, i cili luante ndeshjen numër 300 me fanellën zikaltër, arriti të bëjë pritje spektakolare.
Pjesa e dytë u zhvillua tërësisht nën dominimin e zikaltërve të Antonio Contes, që zhvendosën lojën në gjysmëfushën e Lazios dhe “flirtuan” disa herë me golin e dytë, por pasaktësia e sulmuesve dhe forma e mirë e Strakoshës, bënë që topi të mos përfundonte më në rrjetë.
Zhgënjen në shtëpi Napoli, që pëson humbjen e dytë sezonale, këtë herë me rezultatin minimal 0-1, përballë sardëve të Cagliarit, që nga ana tjetër vazhdojnë të befasojnë, duke shkuar në kuotën e 9 pikëve me fitoren e sotme.
Të kaltrit e Carlo Ancelottit luajtën një 90-minutësh mjaft të mirë, por shpërdoruan mundësi të pafundme shënimi dhe atëherë kur nuk pritej, në minutën e 88’ ishte Castro që mposhti Meret me kokë, pas një krosimi me kokë.
Si të mos mjaftonte zhgënjimi për golin, Ancelotti duhet të bëjë llogaritë edhe me një Koulibaly mjaft nervoz, me senegalezin që u aktivizua vetëm në pjesën e dytë në vend të Maksimoviç, por pas golit të Cagliarit u ndëshkua me karton të kuq nga arbitri.
Vjen më në fund fitorja e parë në kampionat edhe për Fiorentinën, që arriti të mposhtë Sampdorian me rezultatin 2-1 në “Artemio Franchi”, në një takim që për pak kujtoi atë të të dielës ndaj Atalantës.
Djemtë e Montellës kaluan në avantazh me anë të argjentinasit German Pezzella në pjesën e parë, pas një asisti të francezit Ribery, ndërsa në 45-minutëshin e dytë dyfishuan shifrat me anë të Federico Chiesës.
Megjithatë Bonazzoli shënoi për Sampdorian 10 minuta para fundit të takimit, duke rihapur ndeshjen dhe duke e bërë tejet emocionuese deri në vërshëllimën finale të arbitrit, që la në fuqi triumfin e vjollcëve, që i largohen kështu vendit të fundit të renditjes dhe ngjiten në të 15-ën.
Nuk pati fitues në sfidën mes Genoas dhe Bolognës, me dy skuadrat që u ndanë në barazim pa gola, ndërsa Parma humbi një 11-metërsh me Inglessen, por arriti të fitojë 1-0 me Sassuolon, pas një autogoli të Bourabias në shtesë. Sërish titullar Etrit Berisha te Spali, por gardiani kuqezi e nxori tre herë topin nga rrjeta në humbjen 1-3 të skuadrës së tij përballë Lecces, disfatë kjo që ishte e katërta sezonale ekipin e shqiptarit.
Vlen të theksohet se dy nga tre golat e pësuar nga Berisha, ishin me 11-metërsh, ndërsa një tjetër pas një devijimi nga një shok i skuadrës.