MENU
klinika

Agim Vinca

Lufta intelektuale përmes polemikave

10.09.2019 - 15:39

      Agim Vinca lindi më 22 maj 1947 në Veleshtë të Strugës (Maqedoni). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Strugë. Studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe i kreu në vitin 1970, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. 52 vjet krijimtari, mbi 30 libra të botuar në fushën e poezisë, publicistikës, studimeve e kritikës letrare, mbi 45-vjet lektor dhe titullar i disa lëndëve në Fakultetin Filozofik të Prishtinës; fitues i shumë çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, Agim Vinca vijon të kontribuuojë për zhvillimin dhe përndritjen e kulturës shqiptare. Po ashtu merret edhe me përkthime letrare. Aktualisht jeton dhe punon në Prishtinë. Nga krijimtaria e tij përmendim: “Feniksi” (poezi, 1972); “Bregu i mallit” (poezi, 1975); “Në vend të biografisë” (poezi, 1977); “Aspekte të kritikës sonë” (studim, 1977); “Qasje” (kritikë, 1980); “Buzëdrinas”; “Populli i pandalur” (publicistikë, 1992); “Alternativa letrare shqiptare” (kritikë letrare, 1995); “Psalmet e rrënjës” (poezi, 2007) etj./Konica.al

Agim Vinca është njëri prej intelektualëve që kurrë nuk iu nda kërkesave të popullit dhe gjithnjë qëndroi pranë tyre, ndërsa luftën për çlirimin kombëtar e zhvillonte në dy fusha: përmes shkrimeve polemizuese dhe bisedave në rrethe të ngushta e të zgjeruara. Ajo çfarë e dallon Agim Vincën prej shumë intelektualëve të tjerë është guximi intelektual. Fjala e një intelektuali gjithnjë ka pasur peshë më të madhe si në popullin tonë, po ashtu edhe për analistët e huaj që i përcillnin rrjedhat dinamike të proceseve politike që asokohe zhvilloheshin në Kosovë. Po të analizohen shkrimet publicistike të Agim Vincës, botuar në gazetat e asaj kohe dhe përmbledhur në librin “Populli i pandalur”, do të shohim guximin intelektual të tij. Vetë titulli është sa provokues, po aq edhe domethënës. Përmes polemikave, Agim Vinca zhvillon një luftë intelektuale.

 

 

 

 

Si të ruhet dinjiteti i fjalës në kohën e babëzisë; të vrapimit pas kamjes, pushtetit, parasë, lavdisë? Kjo është çështja. Çdo të thotë të jesh shkrimtar dhe intelektual sot? Ç’peshë ka dija dhe talenti në një kohë kur shkruhet shumë e lexohet pak; kur sistemi i vlerave është në krizë; kur ka inflacion titujsh, veprash, fjalësh, çmimesh, diplomash; kur çdo gjëje i dihet çmimi, por jo vlera?”. (Fragment nga publicistika e prof. Agim Vincës)

 

Poet i spikatur dhe studiues i dalluar

Agim Vinca është një intelektual që luftën për çlirimin kombëtar e zhvillonte në dy fusha: përmes shkrimeve dhe bisedave në rrethe të ngushta e herë të zgjeruara. Prej këtyre dy fushave, Agim Vinca do të jetë më i suksesshëm në krijimtarinë artistike, pasi mund të radhitet si ndër poetët më të spikatur bashkëkohorë shqiptarë dhe si një studiues shumë i dalluar i letërsisë sonë. Mbi 500 njësi bibliografike, ku mund të gjejmë: recensione, ese, kritika, trajtesa, studime, polemika dhe shkrime të tjera publicistike janë treguesi më i mirë se Agim Vinca ka një opus të gjerë. Poezitë dhe shkrimet e tjera janë përkthyer dhe botuar në gjuhën hebraike, vietnameze, maqedonase, kroate, sllovene, polake, ruse, frënge, italiane, gjermane, angleze, turke, arabe etj.

Rexhep Qosja ka shkruar: “Poezia e Agim Vincës trajton një spektër të gjerë temash dhe motivesh të lidhura me jetën e banorëve të vendlindjes, me historinë kombëtare dhe përpjekjet e pareshtura të njerëzve tanë për të fituar lirinë dhe për të ruajtur identitetin, por edhe me botën shpirtërore të njeriut të sotëm në përgjithësi të gjendur në vorbullën e kohës dhe të qytetërimit modern. Këto dhe preokupime të tjera poetike, Vinca përpiqet t’i shprehë në vargjet e tij përmes një gjuhe dhe ndjeshmërie moderne poetike”.

 

 

 

 

 

Agim Vinca është një poet i angazhuar që reagon për problemet e kohës e të shoqërisë dhe ai mendon se misioni i poetit është historik: Poeti është i obliguar ta thotë të vërtetën, ta tregojë të padrejtën, ta mbrojë të voglin, të varfrin, ta ngrejë zërin kundër pushtuesit dhe të gjithë atyre që me pushtet a në mënyra të tjera nëpërkëmbin këdo. Këtë tipar karakterizues e ka shfaqur në të gjitha veprat e tij, pavarësisht zhanrit, sepse në të vërtetë ky është tipari që e shquan edhe si njeri profesor Agimin. Ai nuk bën kompromis me të padrejtën dhe nuk kursehet në kritika.

Epiqendër e vargut të tij është qenia dhe identiteti shqiptar ndër shekuj, që përvijohet përmes kombinimeve të ndryshme stilistikore. Mjeti më karakterizues i poezisë së Vincës është simboli, metonimia, epiteti, por veçanërisht metafora. Metafora e poezisë së tij, nuk gjendet në kombinimet brenda një vargu të vetëm, por është në tërësinë e poezisë./Konica.al

 

Fillim i një poeme për familjen Jashari

Vdesin në këmbë duke kënduar.

Dhe jetojnë këmbëkryq në këngë.

 

Psalm për Jusuf Gërvallën

Qiellit të vrugët të Kosovës

Me shenjën e shenjtë në krye

Fluturon kanjushë e verdhë

Fluturon e s’bie!

 

Paradoks

Kur fola, më thanë: hesht!

Kur heshta më thanë: fol!

Folehesht, heshtefol qe jeta ime.

 

Trokitje

Tearca, Tanusha, Tetova

Trandshëm trokasin te porta.

Njerëz, vini dorën në zemër

Zemra fillon tek aorta!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Koha është të duhemi"

Podrimja dhe një poezi…


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit