Ministri gjerman i punëve të jashtme, Heiko Maas, ka mbështetur vendimin e Bundestagut për të miratuar hapjen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Maas gjithashtu vlerëson se mbështetja e Bundestagut për hapje të negociatave me Shkupin dhe Tiranën është një shenjë positive.
“Vendimi nënvizon vlerën që ka Ballkani Perëndimor për BE-në. Njëkohësisht qartazi vihet në dukje vlerësimi i reformave. Të dy vendet duhet t’i vazhdojnë përpjekjet reformuese, për ta vazhduar rrugën drejt BE-së. Unë jam i bindur se qasja e kushtëzuar e Bundestagut do të bindë edhe të tjerë në BE të miratojnë fillimin e negociatave”, ka deklaruar Maas për DW.
Bundestagu votoi ditën e djeshme në favor të hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Për Shqipërinë u votua me 395 pro, 188 vota kundër dhe 16 abstenim.
Për Maqedoninë e Veriut u kërkuan data dhe afate kohore, ndërsa Shqipëria duhet të plotësojë në dy faza 9 kushte para çeljes së negociatave të anëtarësimit në BE.