Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, priti në një takim ministrin e Ekonomisë të Maqedonisë së Veriut, z. Kreshnik Bekteshi.
Gjatë takimit, palët ranë dakord për krijimin e grupeve të përbashkëta teknike, të cilat do të shqyrtojnë mundësinë e ngritjes së pikave ndërkufitare sipas modelit “One Stop Shop”, në mënyrë që të lehtësohet lëvizja e mallrave dhe njerëzve mes dy vendeve dhe të shkurtohet ndjeshëm koha e qëndrimit të biznesit në kufi.
Grupet teknike do të sjellin sa më shpejt propozimet e tyre, të cilat mund përfshijnë edhe mundësinë e ndryshimit të kuadrit ligjor, propozime që më pas do të shqyrtohen dhe aprovohen në instancat përkatëse të dy vendeve.
“Objektivi i takimit të sotëm është të intensifikojmë marrëdhëniet e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, në mundësinë për të rritur më tej zhvillimin ekonomik të dy vendeve, por njëkohësisht për të lehtësuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave, dhe për këtë të dytën kemi rakorduar në disa plane pune. Së pari, për të vendosur në plan pune teknik grupet tona, të cilat do të shqyrtojnë mundësinë e krijimit të “One Stop Shop”, si në legjislacionin shqiptar, ashtu dhe atë maqedonas, për të mundësuar një praktikë teknike brenda dy muajve të ardhshëm dhe të mundësojmë një zgjidhje teknike, që e gjithë lëvizja e mallrave të ndodhë në një sportel dhe të jetë realisht në kohë optimale, për të mos vonuar biznesin. Folëm dhe për mënyrën e komunikimit të mëtejshëm, krijimin e një Komiteti, i cili në mënyrë permanente do të bashkëpunojë, grupet teknike me grupet politike, për të dhënë zgjidhje problematikave të bizneseve në vijim. Mendojmë që ka shumë oportunitete të pashfrytëzuara dhe ky takim i sotëm i shërben këtij kuadri”, tha Ministrja Denaj.
Edhe ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, z. Kreshnik Bekteshi vuri theksin në intensifikimit e bashkëpunimit sa i përket krijimit të pikat të përbashkëta ndërkufitare “One Stop Shop” mes dy vendeve pasi, sipas tij, në këtë mënyrë mund të rriten shkëmbimet tregtare dhe qarkullimi i qytetarëve të dy vendeve.
“Ne si qeveri jemi të gatshëm, që nga fillimi i javës së ardhshme, të miratojmë marrëveshjen sa i përket fillimit të negociatave në nivel teknik, të krijojmë grupet e punës dhe presim që në një afat prej dy muajsh të nënshkruajmë dhe marrëveshjet finale sa i përket krijimit të “One Stop Shop” mes dy vendeve”, u shpreh z. Bekteshi.
Një tjetër çështje e diskutuar mes dy ministrave ishte ajo e investimeve të huaja, në orientimin e politikave të përbashkëta për tërheqjen e këtyre investimeve, që nga infrastruktura rrugore, përmirësimi dhe forcimi i kapitalit njerëzor, etj.
“Përsa i përket infrastrukturës rrugore, Rruga e Arbrit, e cila po avancon në mënyrë të dukshme, do i bashkojë shumë më tepër vendet tona dhe besoj që dhe në krahun e Maqedonisë së Veriut po bëhen përpjekje për ta intensifikuar atë. Kapitali njerëzor, i cili është një aset për të dy vendet tona, na vë përpara obligimeve për ta përmirësuar, kryesisht në aftësitë profesionale, dhe për të këmbyer mjaftueshëm eksperienca. Maqedonia e Veriut ka një eksperiencë më avangardë për thithjen e investitorëve të huaj në sektorë të caktuar, si ai automobile, për të cilën diskutuam. Folëm edhe për ngërçet që këta sektorë po hasin, sidomos në tregun e punës, për nivele të larta kualifikuese, ku aty mund të intensifikojmë marrëdhëniet jo vetëm në njohjen e certifikatave të shkollave tona profesionale, por edhe kurseve të specializuara të cilat do të vijnë në ndihmë, kryesisht të investitorëve të huaj, kur vendosin të vijnë në Shqipëri. Besojmë që shkëmbimi i vitit 2018 në 142 milionë euro duhet të rritet, jo vetëm nga kompanitë lokale, por ato ndërkombëtare. Kërkohet një certifikim shumë më i mirë i aftësive profesionale dhe infrastrukturës rrugore, punë e cila për të dy vendet duhet të intensifikohet dhe më shumë në sytë e investitorëve të huaj, të cilët nuk mund të hedhin sytë vetëm në një vend të vogël, por të krijojmë një ekonomi shkalle dhe të jetë në nivel rajon, jo vetëm për dy vendet, por për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha znj. Denaj.
Për këtë çështje, ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut vuri theksin në shkëmbimin e eksperiencës mes dy vendeve, forcimin e bashkëpunimit dhe heqjen e barrierave mes vendet të rajonit.
“Ne duhet të fokusohemi që në vendet tona të rrisim tregun dhe një investitor i huaj, i cili do të vijë të investojë në Maqedoninë e Veriut, të ketë si treg edhe Republikën e Shqipërisë dhe anasjelltas. Është me shumë rëndësi të lehtësohen të gjitha procedurat në rajon”, theksoi z. Bekteshi.