Partizani është zyrtarisht një nga anëtarët e ECA-së, Shoqata e Klubeve Europiane, e cila është edhe oponenca më e madhe e UEFA-s, pasi klubet më prestigjioze të kontinentit janë grumbulluar nën një sigël për të siguruar më shumë të drejta nga aktivitetet që organizon UEFA.
Juventusi, Interi, Milani, Bajerni i Mynihut, Borusia e Dortmundit, Maçester Siti dhe Junajtidi, Arsenali, Real Madridi dhe Barcelona, janë disa nga top klubet europiane që formojnë ECA-në, Këtyre emrave, por edhe më shumë se 200 klubeve të tjerë të njohur në Europë u është bashkuar edhe Partizani, zyrtarisht që nga dita e sotme. Bashkë me kampionët në fuqi të vendit, Shqipëria përfaqësohet në ECA edhe nga Kukësi e Vllaznia.
“Klubi i Futbollit Partizani nga sot është anëtar në ECA (Shoqata e Klubeve Europiane). Konfirmimi i anëtarësimit ka ardhur gjatë Asamblesë së Përgjithshme të ECA, e cila zhvillohet në Gjenevë, Zvicër dhe ku bëjnë pjesë mbi 200 klube të Europës, midis të cilave gjigandët e Bajern Mynih, Barcelona, Real Madrid, Mançester Junajtid, Juventus dhe shumë klube të rëndësishme të kontinentit të vjetër . Kampionët e Shqipërisë tashmë janë pjesë e Shoqatës së Klubeve Europiane, e cila përfaqëson drejtpërsëdrejti klubet e futbollit në nivelin Europian,” shkruan klubi i kuq në njoftimin e tij.