Kryeministri Edi Rama gjatë inaugurimit të shkollës “Sevete Maçi” në Tiranë e ka mbyllur fjalimin e tij me një batutë, me të cilin opozita sulmonte dikur ish-kreun e qeverisë, Sali Berisha për faktin që dilte shumë herë në ditë në media.
Por Rama ka thënë sot se nuk do zgjatej në fjalimin e tij dhe se të gjitha ata që i merr malli, mund ta gjejnë edhe në “frigorifer”, se në televizion nuk diskutohet.
“Unë s’po flas më shumë më, ndërkohë që po ju mori malli do me keni në frigorifer në vijim, se ne televizor po e po, nuk diskutohet”, tha Rama duke qeshur.
Kur PS ishte në opozitë përkrahësit e saj ironizonin daljen e Berishës ne televizion: “Hap dollapin del miu, hap televizorin del Saliu”.
Mesazhi për mesuesit
Kreu i qeverisë tha sot se tashmë statusi i mësuesit ka ndryshuar dhe nuk përjashtoi edhe faktin se ende ka probleme për t’u adresuar.
“Meritojnë një falënderim të veçantë prindërit që nuk e pranuan një vendimmarrje të gabuar që të ndërtohej një pallat. Shkolla si një pasuri e përbashkët në terrenin e saj i mbijetoi lakmisë dhe faktikisht ja ku jemi sot. Sot kemi një sistem mësimor më cilësor dhe miqësor me nxënësit. Mbi të gjitha kemi një trupë mësimore të mbrojtur nga sulmet e jashtme të politikës, apo nga kthetrat e politikës, apo nga imponimet e deri djeshme të korrupsionit dhe ryshfetit.
Jo gjithçka është flori, pasi brenda këtij procesi ka elemente që duhet të adresohen. Ka raste që e gjitha shëmtohet nga shkelja e rregullave dhe tejkalimi i kornizës së funksionimit administrativ. Nga marrëdhënie të paligjshme mes individësh. Por nëse shohim sistemin e funksionimit të shkollës sot, kemi status tjetër të mësuesve”, tha Rama.