Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë mbrëmjes kanë krijuar problemet e para jo vetëm në bllokimin e rrugëve, por edhe në përmbytjet e banesave.
Në zonën e Fushë Krujës, uji kishte hyrë që mbrëmë në katet e para të pallateve. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë për të evakuuar personat në rrezik.
Ndërkohë, në zonën e Kamzës ka rrezik për përmbytje. Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, bën me dije se punonjësit dhe Drejtuesit e Agjencisë së Ujësjellës Kanalizimeve janë në terren duke punuar për të zgjidhur problemin.
Në vendngjarje ndodhet edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë banorëve të Kamzës të cilët kanë nevojë për strehim për shkak se banesa e tyre është e rrezikuar si pasojë e motit të keq t’i drejtohen Pallatit të Kulturës së Kamzës, i cili është kthyer në një qendër akomodimi.