Ky vit i ri shkollor do të gjejë jo vetëm më pak shkolla, pas reformës së nisur vjet për mbylljen e klasave kolektive, por edhe më pak nxënës.
Janë jo pak, por 100 mijë minus krahasuar me vitin e kaluar. Sipas shifrave të Ministrisë së Arsimit, në arsimin parauniversitar (arsim bazë-gjimnaz) do të shkollohen 380 mijë nxënës, nga 480 mijë që ishin vitin 2018-2019.
Nga këta, pjesa më e madhe, 272 mijë, janë pjesë e ciklit të ulët, ose sistemit bazë të detyruar 9-vjeçar, ndërsa 90 mijë futen në gjimnaz. Për herë të parë, në bankat e shkollës do të hyjnë 24 mijë nxënës, të cilët futen në klasën e parë.
Edhe këtu, shifrat e raportuara nga dikasteri i arsimit flasin për tetë mijë nxënës më pak. Rënia e lindshmërisë ndër vite dhe emigrimi shikohen si dy arsyet kryesore të rrudhjes së numrit të nxënësve që frekuentojnë shkollën.
Ndryshe nga vitet e kaluara, ku vogëlushët urohen me anë të një videomesazhi nga numri 1 i arsimit, ministrja Besa Shahini ka zgjedhur të urojë drejtpërdrejt sot nxënësit për rrugëtimin e ri shkollor 2019-2020.
Për arsimin bazë, mësimi përfundon më 12 qershor, ndërsa matura një javë më herët. Ndërsa pushimet e shumëpritura të dimrit do të zgjasin dy javë, nga 21 dhjetori deri më 5 janar 2020.