Mbi 450 mijë udhëtarë vendas dhe të huaj kanë shfrytëzuar tragetet e linjave Durrës – Bari, Durrës – Ankona dhe Durrës – Trieste e kthim gjatë stinës së verës.
Nga të dhënat statistikore të Autoritetit Portual, bëhet e ditur se në periudhën 1 korrik – 15 shtator të këtij viti me tragetet në hyrje dhe dalje nga porti më i madh i vendit kanë udhëtuar 453,342 pasagjerë me 103,204 autovetura gjithsej.
Tashmë numri i udhëtarëve me tragete po vjen duke u ulur, pas rikthimit masiv të bashkatdhetarëve që preferuan lundrimin me tragete për të mbërritur për pushimet e verës pranë familjeve të tyre në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni.
Në të njëjtën periudhë tragetet kanë transportuar 3,280 kamionë dhe trajlera me mallra të ndryshme.
Gjatë stinës së verës çdo ditë drejt/nga Durrësi lundronin 5-7 tragete, ndërsa aktualisht numri i tyre është 2-3.