MENU
klinika

Shkarkimi i Metës

Mblidhet sot Komisioni Hetimor, zbulohet plani i maxhorancës

03.09.2019 - 12:51

Në një kohë kur maxhoranca ka kërkuar shkarkimin e presidentit, sot do të mblidhet Komisioni Hetimor për Ilir Metën.

Gjatë kësaj mbledhjeje pritet të diskutohen përgjigjet e ardhura nga institucionet e vendit siç janë; KQZ, policia, prokuroria apo dhe nga Kolegji Zgjedhor, për të verifikuar kështu ligjshmërinë e të gjitha veprimeve të presidentit Meta.

Pas ngritjes së Komisionit Hetimor, kreu i Shtetit, Meta pritet të merret në pyetje javën e ardhshme.

Komisioni po ashtu do të miratojë një plan hetimor, i cili në thelb do të synojë hetimin e shkeljeve të mundshme të Kreut të Shteti në lidhje me zhdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, datë kjo që shkaktoi reagime të forta dhe përplasje mes subjekteve politike.

Gjatë fjalës së tij, kreu i këtij komisioni, Ulsi Manja pohoi se këto hapa edhe mund të ndryshojnë gjatë rrugës.

“Materiali për Metën është publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit. Plani hetimor mund të ndryshojë gjatë hetimeve. I kemi kërkuar informacion për këtë rast 7 institucioneve. Madje i kemi kërkuar opinion komisionit të Venecias”, tha Manja.

HAPAT PROCEDURIALE QË DO TË NDIQEN NGA KOMISIONI PËR HETIMIN

Hapat proceduriale që do të ndiqen deri në përfundim të hetimit janë:

1.Seancë dëgjimore me Presidentin e Republikës, në zbatim të nenit 112, pika 3 të Rregullores së Kuvendit.
2.Administrimi dhe shqyrtimi i informacioneve, të dhënave, raporteve të marra nga institucionet lidhur me objektin e hetimit.
3.Administrimi i raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut “Për shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh për nisjen e
procedurës së shkarkimit nga detyra të Presidentit të Republikës, z. Ilir Meta”, datë 26.06.2019.
4.Administrimi dhe shqyrtimi i Opinionit të Komisionit të Venecias.
5.Diskutim në lidhje me gjetjet e Komisionit Hetimor sipas objektit të hetimit.
6.Përgatitja dhe miratimi i raportit përfundimtar.
7.Paraqitja në Kuvend i raportit përfundimtar.