MENU
klinika

Dëshmia

Si u vranë nga serbët 64 gjakovarë të krishterë për Pashkë

24.09.2019 - 09:20

Në muajin prill të vitit 1941, datat 13, 14, dhe 15, pikërisht të Premten e Madhe të Pashkëve, të Shtunën e Madhe të Pashkëve dhe të Dielën e Pashkëve, ndodhi vrasja barbare e masakra masive ndaj katolikëve shqiptarë të fshatrave të rrethit të Gjakovës, posaçёrisht tё fshatrave tё famullisё kishtare ‘Zoja Rruzare’ tё Bishtazhinit.

Vrasjet e masakra ndaj 64 katolikëve shqiptarë qe organizuar e planifikuar mirë nga komunistët gjakovarë dhe miqtë e tyre çetnikët serbë.

Dëshminë e kësaj tragjedie e gjemë në arkivin e zyrës së Kishës famullitare ‘Zoja Rruzare’ në fshatin Bishtazhin, komune të Gjakovës, në Librin e të Vdekurve të vitit 1941, nr. 28-78, faqe 94-100.

Këtu janë të regjistruar 64 emrat e atyre qё u vranë e masakruan, por sipas dëshmisë së banorëve që i kanë përjetuar ato masakra, numri i të vrarëve është shumë, madje shumë më i madh. Vetëm në xhaminë e fshatit të Rugovës sё Rahovecit janë të vra 67 vetë.

Ja një dëshmi nga Pjetër Domgjoni rreth martirizimit të 64 gjakovarëve në fshatin Bishtazhin, komunë e Gjakovës.

“Tri ditët e Pashkëve të vitit 1941 të gjithë katolikët e rrethit Gjakovës kanë pas: Xhamë e vaji e gjak e lotë, tregonte shpesh herë me lotë në sy nana jonë. I kam pas vetëm 13 vjeçe, kur PETKI, ma pat vue manxerrën në gjoks tuj m’bërtitë: Kallëzo ku janë burrat? E unë prej frikës ia fillova me kjajtë e ai me za edhe ma të madh bërtiste: Kallëzo se të vrava?

Mandej ka ardhë nji tjetër ushtar e i ka bërtitë Petkit: Hiqja manxerren prej gjoksit fëmijës, more i poshtër, ku e di ajo se ku janë burrat. E së bashku me ushtarët tjerë, kanë shkue e kanë marrë: babën tem së bashku me 15 mashkuj tjerë, bile ndër ta ka kenë edhe nji babë me djalin 16 vjeç e i kanë çue në lug të Kabashit dhe i kanë ba rresht e ma së parit e kanë vra djalin 16 vjeç e mandej të gjithë. Na as s’kemi guxue me i marrë kufomat, por thonë se këta burra i patën vorrosë gratë e Markagjinve në vorre të Kodërnezhsë.

Po burrat tjerë, oj nanë? Burrat tjerë: Me gra, me fëmijë e bagëti, për me pshtue gjallë, e patën kalue Drinin e kjenë strehue në katundet Gexhe e Radoste dhe katundet tjera të fesë myslimane, por që ishin vllazënit tonë të nji gjaku.

Këto vrasje me pushkë, u banë në katundin e Marmullit, të dielën e Pashkëve, më 15 prill 1941. Kurse në katundin e Bishtazhinit, nji grup burrash sipas shenimeve të arkivit 11, por sipas banorëve të Bishtazhinit shumë ma tepër, i kanë marrë e çue në xhami të Rugovës e ma së pari i kanë detyrue me u falë e mandej me bajoneta, i kanë ba copa e grima. Kurse grupin tjetër po ashtu i kanë çue në xhami të Rugovës dhe e kanë detyrue me u falë e mandej pas shpine i vranë me rrafale plumbash. Prej atij grupi, shpëton gjallë Marka Çupi dhe kthehet në Bishtazhin, katundi i tij i lindjes. Këto vrasje e masakra janë ba të Premtën e Madhe të Pashkëve më 13 prill 1941.

Vrasje të tilla masive janë ba edhe në të gjitha katundet tjera, por unë këtu po veçoj NDOUN, GJONIN, TUNËN, NIKOLLËN, MUSËN DHE PALUSHIN. Të gjithë djemtë e GJIN KOLË LASKUT prej Smaçit që së bashku me mashqit tjerë të asaj familjeje i kanë vra të Shtunën e Madhe më 14 prill 1941. Thonë se në atë familje ka qenë shtatëzanë nji grue e cila ma vonë ka lindë djalë dhe e ka përtri përsëri familjen. Kurse në katundin Ujzë pasi i kishin vra të gjithë antarët e familjes Gjon Prenkë Kolës, vrasin edhe PASHKEN, (foshnjën e gjashtë ditëve). Poashtu në Pjetrashan pasi i kishin vra të gjithë antarët e familjes Pashk Mark Ndout, komunistët, vrasin edhe antarin e fundit të kësaj familjeje: ZEFIN, (foshnjën e një dite).

Vrasje e masakra bahen edhe në katundet: Kusar, Dol, Fshajë, Kushavec, Raçë, Brdoasanë, Trravë, Moglicë, Dujakë e tj. Po cili ishte shkaku i atyne vrasjeve e masakrave gjatë atyne tri ditëve të Pashkëve?

Komunistët gjakovarë dashten me na zhbi prej faqes së dheut. Ky ishte shkaku. Unë tjetër shkak nuk di. Unë kur jam kthye prej lufte, në shpi teme, i kam gjetë tre mashkuj të vramë prej komunistëve gjakovarë. Mu përgjegj plaku 96 vjeçar, Toma i Marka Gjinit prej katundit Marmull.

Po i kujtojmë këto vrasje për të mos harrue ata besimtarë e burra të vërtetë si Hilin e Nikollë Dedës e me dhjetra e me dhjetra besimtarë të tjerë që u vranë e masakruan nga komunistët gjakovarë gjatë atyre PASHKËVE TË PËRGJAKURA vetëm e vetëm pse ishin besimtarë katolikë. Në shenëj nderimi e respekti ndaj këtyre martirëve të fesë e të kombit.