Bizneset në vend kanë edhe një javë afat që të përfitojnë ulje në pagesën e dividendit. Përmes një ndryshimi në ligj është vendosur që deri në 30 shtator do të ketë një tarifim deri në 8% ndërsa pas kësaj date bizneset duhet të paguajnë 15%.
Për të sqaruar qytetarët në lidhje me këtë ndryshim, përmes një deklarate, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u ka bërë thirrje bizneseve të nxitojnë për të paguar dividendin brenda afatit të caktuar. “Administrata Tatimore ju ka bërë me dije më herët, se deri në 30 shtator keni mundësi të përfitoni pagesën në shkallën tatimore 8% për fitimet e pashpërndara, të realizuara në vitet 2017 e më parë përfshirë.
Në zbatim të Ligjit nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, tatimi mbi dividendin për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitin 2018, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara, u aplikua në shkallën tatimore 8%, për pagesat e kryera brenda datës 20 gusht 2019”, u shpreh Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Gjithashtu në postim sqarohet se aplikohet shkalla tatimore 8% për fitimet e pashpërndara, të realizuara në vitet 2017 e më parë, me kushtin që tatimi të paguhet brenda datës 30 shtator 2019. “Ndërkohë, në nenin 35, të ligjit të sipërcituar, përcaktohet se, paguesi i shumave, të parashikuar në nenin 33,
“Depozitimi i vendimit për miratimin e rezultatit vjetor dhe destinimi i fitimit”, është i detyruar të llogarisë, të mbajë, të deklarojë dhe të derdhë tatimin e mbajtur në burim, në llogaritë e organeve tatimore deri në datën 20 të muajit pasardhës të muajit të pagesës”, thuhet në deklaratë.
Falja e gjobave
Më tej, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaroi se nuk do ketë gjobë për ata që kanë tejkaluar datën 20 për të shlyer detyrimet. “Nisur nga më sipër, pagesa e tatimit të mbajtur në burim për dividendin për vitin 2017 e më parë, mund të bëhet brenda datës 30 shtator 2019 me anë të Deklaratës së Tatimit në Burim të muajit Gusht 2019. Kjo deklaratë dorëzohet në organet e Administratës Tatimore brenda datës 20 Shator 2019. Për më tepër gjatë këtyre ditëve të mbetura do të falen gjobat dhe penalitete për tatimpaguesit të cilët dorëzojnë deklaratën brenda afatit një javor.
“Lidhur me periudhën 10 ditore nga afati i dorëzimit të deklaratës deri më datë 30 Shtator 2019, Administrata Tatimore do të kryejë anulimin e gjobës ndaj tatimpaguesve, të cilët dorëzojnë deklaratën e tatimit në burim (në këtë periudhë, si një e drejtë ligjore për këtë rast”, thuhet në deklaratë. Përfshirja e dividendit të para viti 2017 është paraqitur nga Ministria e Financave që në periudhën që u ndryshua ky ligj. Në ligjin për Dividendin, Neni 8, Pika 9, sqarohej se ky proces do të rrisë të ardhurat e buxhetit shtetëror, por edhe të kompanive të ndryshme. “Norma e tatimit mbi dividendin në shkallën 8% do të aplikohet edhe për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2017 e më parë. Krahas propozimit për aplikimin e tatimit të dividendit në shkallën 8 %, kjo normë të aplikohet edhe për shpërndarjen e dividendëve që i përkasin fitimeve të viteve para se ky ndryshim të prodhojë efekte (fitimeve të viteve 2017 e me parë).
Gjykojmë se do të ndikojë pozitivisht si në të ardhurat e buxhetit të shtetit edhe në rritjen e konsumit në kompani të ndryshme”, thuhej në raport. Sipas ligjit të dividentit, norma tatimore e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi sipas nivelit të pagës bruto, zbatohet sipas kategorive të mëposhtme: 0% për pagën mujore bruto deri 30,000 lekë;
13% për pagën mujore bruto 30,001 – 150,000 lekë; 23% për pagën mujore bruto mbi 150,000 lekë. Konsiderohen të ardhura me burim në Shqipëri edhe të ardhurat e një personi jorezident, të përftuara si rezultat i shërbimeve të kryera për një person rezident.
Për këto të ardhura, rezidenti që përfiton shërbimin, do të mbajë Tatimin në Burim nga pagesat që do të bëjë për jorezidentin.