MENU
klinika

"Gabimi historik"

A e vrau ëndrrën e zgjerimit të BE-së, Macron?

23.10.2019 - 17:34

Emmanuel Macron mund të ketë fituar presidencën franceze duke premtuar se do të mposhtë populizmin, por këto ditë shumë në Ballkan e quajnë “Trumpi Evropian”.

Arsyeja për këtë krahasim është kundërshtimi i presidentit francez për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Javën e kaluar në një samit të Brukselit, Macron vuri veton ndaj hapjes së negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Udhëheqësi francez ishte i vetëm në kundërshtimin e Maqedonisë së Veriut dhe u mbështet vetëm nga drejtuesit e Danimarkës dhe Hollandës në refuzimin e Shqipërisë.

Macron mbrojti vendimin e tij, i cili u quajt menjëherë publikisht një “gabim historik” nga kryetari i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker.

Në Francë, ekziston një traditë e nderuar e konceptimit të Evropës për sa i përket qarqeve koncentrike që datojnë nga presidenca e Francois Mitterrand. Në këtë vizion, Evropianët Lindorë janë të mirëpritur të bëjnë biznes dhe të bashkëpunojnë me BE, por kaq.

Macron parashtroi këtë vizion, duke sqaruar se do të dëshironte të ndërtonte një Evropë me tre nivele: Një rreth i brendshëm i përbërë nga një Eurozonë e forcuar, një rreth i dytë që përbëhet nga anëtarët e BE-së në një treg të vetëm të fortë dhe një rreth i jashtëm shumë më pak i integruar që është “një bashkim i vlerave, parimeve demokratike dhe lirive ekonomike”, i cili potencialisht një ditë mund të përfshijë Rusinë dhe Turqinë.

Arsyeja për misionin e Macron për ta çuar deri në përfundimin e zgjerimit të BE-së është e thjeshtë: Ai beson se zgjerimi ka dështuar.

Në vend që të lulëzonin demokracitë e reja që mund të ndihmojnë për të shpejtuar integrimin evropian, BE përfundoi me Hungarinë e Victor Orban dhe një Poloni që sapo zgjodhën Partinë Popullore Ligj dhe Drejtësi për një mandat tjetër.

Pra, për sa i përket Macron, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë të rrinë ulur në dhomën e pritjes.

Zgjerimi ka vdekur. Rroftë BE-ja, me Gjermaninë si qendrën ekonomike dhe Francën e Macron si udhëheqësin strategjik.

Masa e Macron, megjithatë, solli në dyshim të ardhmen e BE-së dhe stabilitetin e kontinentit.

Johannes Hahn, komisioneri evropian që ka udhëhequr përpjekjet për të shtyrë si Maqedoninë e Veriut ashtu edhe Shqipërinë drejt BE-së, tha se Macron ka dëmtuar besueshmërinë e bllokut “jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerë”.

Një ditë më vonë, kryeministri i vendit, Zoran Zaev, bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme. Sidoqoftë, vendimi i Macron pa dyshim që e vendos një komb pro-Evropian në një rrugë larg Brukselit.

Sigurisht, është shumë herët të themi se Macron vrau BE-në. Shumë anëtarë të BE ende nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga ëndrra e zgjerimit.

Kryeministri italian Giuseppe Conte tha se ai do të propozojë që bisedimet e pranimit të fillojnë përsëri në nëntor. Kryeministri belg Charles Michel gjithashtu u zotua të mos e lërë çështjen të kalojë, duke thënë: “Ne do të shohim se si t’i rikthehemi këtij debati më vonë”.

BE-ja mund të bjerë dakord të dekurajojë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Mund të ofrojë gjithashtu forcim të konsiderueshëm të kritereve të pranimit.

Mbi të gjitha, një e vërtetë e përjetshme për BE-në është aftësia kolektive e anëtarëve të saj për të ecur përpara. Ne me siguri do ta shohim këtë në muajt e ardhshëm.

Dimitar Bechev/ Al Jaazera

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


'Çmendet' Zaev, jep deklaratën bombë

“Nëse nuk marrim datën e negociatave, bie qeveria!”

Konferenca e Liderëve të Ballkanit

“Zaev më i preferuari i Merkel”