MENU
klinika

Dyshimet e Kremlinit

A ka vdekur apo jo udhëheqësi i ISIS?

28.10.2019 - 18:38

Kremlini ka thënë të hënën se presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë një kontribut të madh në luftimin e terrorizmit ndërkombëtar, nëse është e vërtetë deklarata se është vrarë Abu Bakr al-Baghdadi, lideri i grupit militant, Shteti Islamik.

Trump ka njoftuar të dielën se Baghdadi ka kryer vetëvrasje gjatë bastisjes së forcave speciale amerikane në Siri, si dhe ka falënderuar Rusinë, në mesin e vendeve tjera për mbështetjen që u kanë dhënë Shteteve të Bashkuara.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka mohuar të tregojë të hënën nëse Shtetet e Bashkuara kanë informuar paraprakisht Rusinë për këtë operacion.

Mirëpo ai u ka thënë gazetarëve se ushtria ruse ka vërejtur aeroplanët amerikanë dhe dronët në zonën në të cilën Uashingtoni ka thënë se ka kryer operacionin në Siri.

“Nëse informacioni për vrasjen e Baghdatit konfirmohet, ne mund të flasim për kontributin serioz të presidentit të Shteteve të Bashkuara në luftimin e terrorizmit ndërkombëtar”, ka thënë Peskov.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se ka dilema në deklaratat e Trumpit, pasi aty nuk janë dhënë informacione të besueshme rreth operacionit amerikan, si dhe janë dhënë katër arsye pse versioni i SHBA-ve duket i dyshimtë.

“Numri në rritje i pjesëmarrësve në operacion dhe shtetet që dyshohet se kanë qenë pjesë e ‘operacionit’, secili me detaje kontradiktore, rrit pyetjet dhe dyshimet nëse ka ndodhur dhe sa i suksesshëm ka qenë”, ka thënë kjo ministri.

Për dallim nga Kremlini, ministria po ashtu ka ulur rëndësinë e Baghdadit, duke thënë se edhe nëse konfirmohet vdekja e tij, sërish “nuk do të ketë rëndësi operacionale” në situatën në Siri apo në veprimet e militantëve të mbetur në rajonin Idlib të Sirisë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar të dielën për vrasjen e Al-Baghdadit, në një sulm të forcave amerikane në fshatin Barisha të provincës Idlib, në veriperëndim të Sirisë. Al-Baghdadi ka qenë një nga terroristët më të kërkuar në botë.

Në kulmin e fuqisë më 2014 dhe 2015, grupi Shteti Islamik ka kontrolluar një sipërfaqe prej 88,000 kilometrash katrorë që shtrihej nga Siria perëndimore në Irakun lindor.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Project Syndicate

Me ISIS duhet luftuar edhe online