MENU
klinika

Bisedimet me Mike Pence

“Bindet” Erdogan, pezullon operacionin në Siri

17.10.2019 - 20:19

Shtetet e Bashkuara dhe Turqia janë pajtuar që të pezullohet ofensiva turke në veri të Sirisë.

Lajmin e bëri të ditur, nënpresidenti amerikan Mike Pence, i cili tha se marrëveshja u arrit pas pesë orë bisedimesh me presidentin turk, Reccep Tayyp Erdogan, në Ankara.

“Turqia është pajtuar që të pezullojë operacionin për 120 orë në mënyrë që lejojë tërheqjen e forcave kurde”, tha Pence.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë duke punuar me forcat kurde për tërheqje nga zona kufitare.

Pence tha se Turqia dhe SHBA-ja janë pajtuar për “qëllimin e përbashkët për të shkatërruar grupin militant Shteti Islamik.

Ai tha se të dyja vendet janë pajtuar për një rezolutë paqësore për zonën e sigurtë në veri të Sirisë.

Krijimi i kësaj zone ka qenë edhe arsyetimi i Turqisë, kur e filloi, nëntë ditë më parë ofensivën në veri të Sirisë. Ankaraja tha se synon të dëbojë luftëtarët kurdë në atë rajon, të cilët i konsideron si terroristë, dhe të mundësojë kthimin e miliona refugjatëve sirianë që gjenden në territorin turk.

Para konferencës për media të nënpresidentit Pence nga Turqia, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka paralajmëruar marrëveshje me Turqinë sa i përket armëpushimit në veri të Sirisë.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ai ka falenderuar presidentin e Turqisë, Reccep Tayyip Erdogan, duke thënë se miliona jetë janë shpëtuar.

“Lajme të shkëlqyera nga Turqia. Faleminderit president Erdogan. Miliona jetë do të shpëtohen!”, ka shkruar Trump.