Arkadiusz Milik, sulmuesi i Napoli-t dhe i Polonisë, është në kërkim të golit të tij të parë të sezonit. Lojtari ka përfunduar në shënjestrën e kritikave dhe nuk po kalon një moment aspak të mirë.
“Çdo ndeshje është e vështirë për një sulmues kur nuk shënon. Më mungon besimi ne vetvete. Forma do të vijë me kohën, te Napoli ka shumë rotacion, por nuk ka kuptim të kërkohen justifikime, vendi duhet fituar”.
Kritikat? Duhet të ndash realitetin nga rrjetet sociale. Unë e fik telefonin, kjo është e vetmja mënyrë për të mos u çmendur. Në fillim shikoj nga vjen kritika, më intereson mendimi i familjarëve, trajnerit ose i tifozëve që takoj rrugës. Sigurisht nuk do t’i marr kurrë seriozisht kritikat e një të panjohuri mbrapa një telefoni”.
Llorente? Jam shumë i kënaqur që një lojtar si ai është bërë pjesë e skuadrës sonë. Është një futbollist me shumë eksperiencë nga i cili mund të mësojmë shumë. Konkurrenca nuk i ka bërë kurrë keq askujt”, ka thënë Milik.