Rusia ka bërë presion që qeveria e Damaskut të rimarrë kontrollin e plotë të Sirisë dhe për një zgjidhje politike për luftën atje. Por ofensiva e Turqisë mund të jetë vetëm një pengesë e përkohshme për interesat ruse.
Presidenti rus Vladimir Putin nuk e dënoi haptas “Operacionin Pranvera e Paqes” të Turqisë në verilindje të Sirisë – por vështirë se mund të jetë i lumtur me ofensivën.
Sipas një deklarate të Kremlinit, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i telefonoi Putinit para se Turqia të niste ofensivën. Putini me sa duket “u bëri thirrje partnerëve të tij turq ta mendojnë veprimin e tyre me kujdes, në mënyrë që të mos dëmtojnë përpjekjet e përbashkëta për rregullimin e krizës siriane”.
Për vëzhguesit në Moskë, megjithatë, ky operacion është shumë më i dëmshëm për interesat ruse nga sa lë të kuptohet deklarata e Kremlinit. Vyacheslav Matusov, ekspert i Lindjes së Mesme dhe ish-diplomat, thotë për DW se “ofensiva ushtarake turke nuk është në interesin e Rusisë, sepse Rusia beson se qeveria siriane duhet të jetë ajo që vendos rregullin në territorin e Sirisë”.
Në fund të fundit, forcat ruse hynë në luftë në vitin 2015 për të mbështetur qeverinë e presidentit sirian Bashar al-Asad, dhe mbështetja ushtarake ruse në thelb ka bërë që konflikti të ecë në favor të qeverisë siriane vitet e fundit. Të dielën, Putini nguli këmbë që çdo forcë që nuk është thirrur në mënyrë të qartë nga qeveria e Asadit për ndihmë në luftë, është në thelb pushtues i paligjshëm dhe duhet të largohet nga vendi. Ai pothuajse me siguri nënkuptonte me këtë forcat amerikane – por me siguri edhe forcat turke. Por zyrtarët rusë i kanë quajtur vazhdimisht shqetësimet e Turqisë për sigurinë në operacionin e saj kundër forcave kurde, të ligjshme.
Duke ecur në tra ekuilibri
Nëse deklaratat janë kontradiktore, kjo është sepse ato nxjerrin në pah aktin e tanishëm të ekuilibrit diplomatik të Rusisë për operacionin e Turqisë, në një kohë kur Rusia përpiqet të paraqesë veten si ndërmjetëse në këtë konflikt të ndërlikuar.
“Ky operacion e vendos Rusinë në një pozitë shumë të parehatshme,” shpjegon Alexander Golz, një ekspert i pavarur ushtarak rus. “Rusia duhet të manovrojë në mënyrë që të mos shkatërrojë marrëdhëniet me Turqinë, të mos shkatërrojë marrëdhëniet me kurdët dhe të vazhdojë marrëdhëniet me Sirinë e Asadit”.
Në një kohë që synimi përfundimtar i Rusisë në Siri është t’ia kthejë të gjithë territorin e Sirisë qeverisë së Damaskut, Rusia gjithashtu ka bërë presion që ta mbajë Turqinë në krah, edhe me një retorikë të kujdesshme. Vladimir Putini është takuar rregullisht me krerët turq dhe iranianë në kuadër të bisedimeve për paqen në Astana; ai gjithashtu vetëm këtë vit ka zhvilluar disa takime bilaterale me Erdoganin e Turqisë.
Megjithëse të dy udhëheqësit janë në anë kundërshtare të konfliktit në Siri, me Rusinë që mbështet qeverinë dhe Turqinë që mbështet opozitën, të dy udhëheqësit kanë lidhje të ngushta. Kohët e fundit Turqia përfundoi blerjen e sistemeve raketore ruse S-400, pavarësisht kritikave nga aleatët e saj të NATO-s.
Gjetja e ekuilibrit
Operacioni ushtarak i Turqisë mund të jetë i pakëndshëm për Rusinë, por gjithashtu ai i jep asaj një mundësi për suksese të reja si ndërmjetëse në konfliktin e Sirisë, veçanërisht pasi SHBA kanë sinjalizuar se mund të ecin drejt një tërheqjeje të plotë ushtarake nga vendi.
Gjatë fundjavës, forcat kurde arritën një marrëveshje me forcat e qeverisë siriane për të shmangur ofensivën turke, në thelb duke u dhënë kontrollin e disa qyteteve kufitare në rajon forcave siriane të mbështetura nga Rusia. Marrëveshja thuhet se u ndërmjetësua nga Rusia. Në një kohë kur kurdët më parë shikonin drejt forcave amerikane, përballë “kërcënimit të një pushtimi turk, kurdët tani po shikojnë drejt Damaskut”, thotë për DW analisti i Lindjes së Mesme, Vyacheslav Matusov.
Pozitë e sigurtë
Megjithëse Moska mund ta kthejë operacionin ushtarak të Turqisë kundër forcave kurde në verilindje të Sirisë në një ushtrim delikat diplomatik, ofensiva është shumë më tepër sesa thjesht një lojë për Rusinë.
Të premten, Putini paralajmëroi në një takim të ish-udhëheqësve sovjetikë që me operacionin turk, luftëtarë të Shtetit Islamik po ikin nga objektet e ruajtura më parë nga milicët kurdë, të cilët tani po sulmohen nga Turqia. “Tani [luftëtarët e IS] mund të ikin dhe nuk jam i sigurt nëse – dhe sa shpejt – ushtria turke mund ta vërë situatën nën kontroll,” tha Putini. “Ky është një kërcënim i vërtetë për ne,” u tha ai udhëheqësve të tjerë, duke bërë thirrje që organet e sigurisë të vendit të bashkëpunojnë.
Eksperti i Sirisë, Andrei Ontikov e quan shqetësimin e Rusisë për stabilitetin “pragmatizëm banal”, pasi shumë luftëtarë të Shtetit Islamik në Siri janë nga rajonet e Kaukazit Verior në jug të Rusisë, ose nga shtetet fqinje me Rusinë në Azinë Qendrore. “Ne kemi nevojë që Siria të jetë e qetë, në mënyrë që të mos jetë një burim i vazhdueshëm i paqëndrueshmërisë, që mund të ndikojë në situatën në Lindjen e Mesme – dhe në Azinë Qendrore dhe në Kaukaz”, shpjegon Ontikov. “Kur gjërat janë të qeta atje, nuk do të ketë kërcënim nga jugu për Rusinë.”
Emily Sherwin