MENU
klinika

"Korbi"

Gjeniu i varfër i trishtimit të thellë…

07.10.2019 - 13:17

      “Të dielën, më 7 tetor 1849, në orën tre të mëngjesit, Edgar Alan Poe më në fund kaloi në botën e amëshuar, ai që nuk kishte kaluar asnjë kufi tjetër në jetën e tij. I gozhduar në arkivolin e drunjtë, ai i është dorëzuar palëvizshmërisë, dekompozimit, hiçit, krimbit fitues. Lëvizja e pandërprerë që e karakterizonte, u ndërpre. Plakë lakmitare, vdekja triumfoi përsëri”, – shkruhet në një nga nekrologjitë e shumta./Konica.al

Edgar Alan Poe ishte shkrimtar, poet, kritik dhe redaktor amerikan, kryesisht i njohur për tregimet e shkurtra evokuese apo poezitë që rrëmbyen imagjinatën dhe interesin e mbarë lexuesve në të gjithë botën. Tregimet imagjinare, rrëfimet e misterit dhe tmerrit i dhanë jetë historisë moderne të romanit policesk. Shkrimtari vdiq më 7 tetor 1849 në Virxhinia, në moshën 40-vjeçare.

Përtej fantastikes, të shkruarit e Edgar Alan Poes përçon një melankoli të thellë, gjë e cila mund të shpjegojë fare mirë edhe tërheqjen që kishte Bodleri për poezinë e tij. Poe provoi disa zhanre, edhe pse autori njihet botërisht për tregimet. Tekstet i shkruan si ese, forma është koncize, e vërteta është paraqitja e saj. Në anën e errët të fuqisë poetike të Edgar Allan Poe, gjejmë histori policeske, tregime, poezi dhe në zemër të këtyre intrigave, mundime, një mace të zezë, efekte perverse.

Madhësia e Edgar Alan Poes si një figurë kryesore në letërsinë botërore bazohet kryesisht në novelat, vjershat dhe në tregimet e tij të shkurtra, plot domethënie dhe të thella. Duke parë historitë letrare dhe manualet si arkitekt i tregimit të shkurtër modern, Poe ishte gjithashtu pararendësi kryesor i lëvizjes “arti për hir të artit” në letërsinë evropiane të shekullit XIX. Ndërsa kritikët e mëparshëm kryesisht merreshin me gjeneralitetet morale ose ideologjike, Poe e përqendroi kritikën e tij në specifikat e stilit dhe konstruksionit që kontribuan në suksesin apo dështimin e një pune. Në punën e tij, ai demonstroi një rend të shkëlqyeshëm të gjuhës dhe teknikës, si dhe një imagjinatë të jashtëzakonshme dhe origjinale. Po ashtu, poezia dhe tregimet e shkurtra të Poes ndikuan shumë tek simbolistët francezë të fundvitit të 19-të, të cilët nga ana tjetër ndryshuan drejtimin e letërsisë moderne. Cilado qoftë arsyeja, personazhet e Poes janë katërcipërisht pa lidhje. Nuk shohim familje, as prindër, as fëmijë. Rrëfyesit e tij janë gjithmonë meshkuj, më shpesh të paarritshëm, shpirtërisht dhe emocionalisht të shkëputur nga pjesa tjetër e njerëzimit. Të traumatizuar, të lënduar ose plotësisht imoralë, janë krej të paaftë ndaj ndjeshmërisë njerëzore. Dhe puna e tij, megjithëse jashtëzakonisht pasionante dhe sensuale në shumë mënyra, është e ftohtë kur lindin çështje dashurie./Konica.al

Edgar Alan Poe lindi në Boston, më 19 janar 1809 dhe vdiq në Baltimorë, më 7 tetor 1849, babai i romanit policesk, i letërsisë së tmerrit dhe i misterit psikologjik. Ai përfundoi duke u bërë një nga përfaqësuesit kryesorë të përrallës gotike. Një gjeni, i cili, si shumë të tjerë, nuk ka pasur fatin e mirë që të ketë mundësi të shijojë suksesin e kryeveprave të tij, por përfundoi duke vdekur në mjerim dhe në dëshpërim të thellë. Histori mizore që na godet dhe na shtyn të reflektojmë për faktin, se, Poe, si shumë gjeni të tjerë në historinë njerëzore, ka jetuar në varfëri, pa pasur fatin të shijojë suksesin e veprave të tij.

Megjithatë është ndjenjë plotësisht moderne ajo që siguron që librat e tij të lexohen akoma, të diskutohen, apo të vijojnë të jenë plotësisht të përshtatshëm për realitetin edhe aktualisht, më shumë se 150 vjet pas vdekjes. Sidoqoftë, është e sigurt se emri i tij do të jetojë përgjithmonë, duke u dhënë jetë dhe frymëzim autorëve të shumtë, regjisorëve, këngëtarëve dhe bandave muzikore, të cilët, nga ana tjetër, kanë nxjerrë fitime maksimale duke e pasur si muzë frymëzimi./Konica.al

 

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit