MENU
klinika

Rihapet dosja

Historia e aktivistit të VV, nga arrestimi deri te vdekja

24.10.2019 - 20:55

Ishte mesnata e pesë gushit të vitit 2016. Në ato momente një motorr, në të cilin  besohet se ishin dy persona, u ndal pran Kuvendit të Kosovës.  Njëri nga ta, nxori një raketëhedhës dore, dhe me të goditi ndërtesën e Parlamentit. E, menjëherë, forca të mëdha të strukturave të sigurisë dolën në skenën e krimit, ndërsa gjithë kjo ngjarje u cilësua si akt terrorist. Motori që u përdor gjatë kryerjes së këtij sulmi, pak caste më vonë, u gjet i djegur afër pishinës së Gërmisë.

Ndërsa nën direktivat e Prokurorisë Speciale, drejtoria antiterror e policisë nisi hetimet për të zbardhur këtë rast. Hetimet e para i cuan zyrtarët policor në drejtim të disa aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, që atë kohë kundërshtonte ashpër demarkacionin e kufirit me Malin e Zi e Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. 25 ditë pas sulmit mbi Kuvendin, Drejtoria kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës, të asistuar edhe nga njësitet elite organizuan një operacion për kapjen e të dyshuarve. Ky operacion i organeve të sigurisë, coj në arrestimin e 6 aktivistëve të Vetëvendosjes.

Në pranga përfunduan Frashër Krasniqi, Petrit Ademi, Adea Batush, Atdhe Arifi e Egzon Haliti. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe Astrit Dehari, çështja e të cilit do të shndërrohej në një nga rastet më enigmatike që kanë ndodhur ndonjëherë në Kosovë. Të gjithë të arrestuarit me vendim gjykate përfunduan në paraburgim, me përjashtim të Petrit Ademit, çështja e të cilit u mbyll ndërkohë, pasi  nuk kishte prova se ishte i implikuar në këtë rast.

Prokuroria po vazhdonte hetimet, ndërsa të dyshuarit po qëndronin nën masën e paraburgimit në qendra të ndryshme. Astrit Dehari ishte dërguar në qendrën e Paraburgimit në Prizren. Ai qëndroi aty deri me 5 nëntor të viti 2016. Gjatë kësaj kohe, Astrit Dehari gjithçka nga përditshmëria i shkruante në ditarin e tij. Këtë e kishte bere edhe me pesë nëntor të atij viti. Bashkë me të paraburgosurit e tjerë, kishte dal nga qelia në shëtitjen e mëngjesit.

Pas një ore ai ishte kthyer, deri sa ndërroj disa llafe me të paraburgosur të tjerë para se të hynte në qeli. Por, kur erdhi koha për shëtitje në drekë, Astrit Dehari, kishte vendosur të mos dilte nga aty. Qelia e tij, u kyç nën masat e sigurisë nga gardiani i kësaj qendre. E këtu ishin edhe momentet e fundit të jetës së tij.

Saktësisht në orën 15:53 minuta shokët e qelisë së Astrit Deharit u kthyen nga koha e lirë. Kur e hapen derën ata e gjetën Deharin në momentet e fundit të jetës së tij me një shishe mjalti në gojë. U alarmuan edhe mjekët…. Në gjendje të rëndë, u nis për tu dërguar në emergjencë. Pak më vonë doli konstatimi që tashmë aktivisti i Vetëvendosjes, kishte ndërruar jetë. E që nga ky moment nisi edhe një prej historive më të mistershme që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë.

Të dhënat e para nga Qendra e Paraburgimit në Prizren, dolën se Astrit Dehari kishte bërë vetëvrasje duke përdorur sasi të madhe medikamentesh. E më pas, trupi i tij u dërgua për t’ju kryer autopsia në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Ditën kur u krye autopsia nuk u dhanë shumë detaje, vetëm se u tha se Astrit Dehari kishte vdekur nga asfiksia. Këtë gjë e pati thënë ish-kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha. Pak ditë më pas raporti i autopsisë ishte finalizuar, ndërsa Sylë Hoxha doli sërish në konferencë. Kësaj radhe kishte ardhur konstatimi se Astrit Dehari, kishte kryer vetëvrasje.

Vdekja ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike, mbyllja e arterieve të frymë marrjes si pasojë e dëmtimeve të vetëshkaktuara”, kishte deklaruar kryeprokurori Hoxha.  

Por, me këtë gjë asnjëherë nuk ishin pajtuar familja e Astrit Deharit. Prindërit e tij, në vazhdimësi kanë kërkuar që për këtë rast të ketë një hetim dhe ekspertizë të pavarur ndërkombëtare. Insistimit të  vazhdueshëm për të zbardhur këtë ngjarje të mistershme, nuk mundi ti rezistoj as Qeveria e Kosovës. Me kërkesë të ministrisë së drejtësisë, ekzekutivi kishte dhënë 50 mijë euro për të bërë një ekspertizë të pavarur për këtë rast. Familja kishte përzgjedhur Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Ndërsa i gjithë materiali prej qindra faqesh i ështe dërguar këtij instituti në maj të viti 2018. E pas më shumë se një viti, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë, ka përfunduar raportin e ekspertizës. Aty është kontestuar fuqishëm mundësia e vetëvrasjes, ndërsa është sugjeruar që të kihet parasysh intervenimi i një personi të tretë në vdekjen e Astrit Deharit. Tani misterin e këtij rasti, duket se mund ta zbardh vetëm një hetim i ri./ Kosova.sot