Një ndër lojtarët më të rëndësishëm të Interit është padyshim Lautaro Matinez. Argjentinasi ka shfaqur formë mjaft të mirë, çka ka bërë që disa klube të interesohen për të.
Në krye të listës është Barcelona, që e sheh si zëvendësuesin ideal të Luis Suarez, por Interi duket se nuk ka ndërmend të qëndrojë duarkryq.
Sipas asaj që raporton “Calciomercato”, drejtuesit zikaltër i kanë paraqitur kontratën e re të rinovimit yllit të tyre, i cili pritet të përfitojë dyfishin e pagës që merr aktualisht. Thënë ndryshe, nga 1.5 milion euro që merr aktualisht, “El Toro” do të përfitojë 3 milionë euro nga kontrata e re.
Pika më e rëndësishme në kontratën e re për Interin është heqja e klauzolës prej 111 milionë euro. Lautaro nuk do të ketë më një klauzolë lirimi, çka do ta bënte kalimin e tij te Barcelona akoma më të vështirë. Kështu, Interi blindon një ndër lojtarët më të rëndësishëm të ekipit.