Kanë përfunduar ndeshjet e treta në grupet e Champions League dhe tashmë skuadrat pretendente kanë treguar “dhëmbët”, duke marrë pikët e nevojshme.
Në Grupin F, në kryendeshjen e mbrëmjes, Inter ka marrë fitoren e parë, duke mposhtur rivalët e Dortmund me rezultatin 2-0, me gol të Lautaro Martinez në pjesën e parë, ndërkohë që ka humbur penallti në të dytën. Me këtë rezultat zikaltrit barazojnë gjermanët me 4 pikë.
Në këtë grup kreun e merr Barcelona e vetme me 7 pikë, teksa fiton në transfertë 2-1 me Slavia Prague. Messi dhe autogoli i ish-sulmuesit të Skënderbeut, Olaynka, u ka dhënë suksesin e radhës katalanasve.
Në Grupin E, Liverpool nuk e ka diskutuar fitoren ndaj modestëve të Genk në Belgjikë, duke i mposhtur 4-1. Praktikisht kampionët e Europës e mbyllën që në pjesën e parë me anë të dy golave.
Në ndeshjen tjetër, Napoli fiton me vështirësi në Salzburg ndaj vendasve 3-2, duke mbajtur edhe kreun e grupit. Mertens me dy gola dhe Insigne shënuan për miqtë italianë.
Në Grupin G, Benfica merr fitoren e parë në grup, teksa mposht 2-1 Lyon. Tri pikë me vlerë për portugezët, që futen në lojë për kualifikimin.
Në Grupin H, Valencia nuk shkon më shumë se një barazim 1-1 me Lille. Spanjollët janë ndëshkuar në fund, teksa francezët marrin pikën e parë.
SHËNIM: Të gjitha rezultatet e ndeshjeve kryesore të ditës i gjeni në kohë reale, duke klikuar Konica.al në ballinën e rubrikës së sportit