Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ftuar sot në emisionin “Opinion” ka zbuluar sot disa detaje nga qëndrimi që pritet të bëjë nesër publik Presidenca lidhur me Draft-Opinionin e Komisionit të Venecias, duke theksuar ndër të tjera se “i vetmi shqetësim i imi është të ruajmë integritetin e Komisionit të Venecias, pasi mendoj që kjo do të ishte e dobishme për vetë Komisionin”.
PJESË NGA INTERVISTA
Fevziu: Presidenca ka njoftuar që nesër do të bëjë publike disa argumente ose një material lidhur me raportin paraprak ose draft-raportin e Komisionit të Venecias. Për çfarë bëhet fjalë?
Presidenti Meta: Që ditën e hënë besoj Zëdhënësi i Presidentit, zoti Blushi ka bërë të qartë se…
Që do të kishte një reagim nga Presidenca….
… që në respekt të transparencës me opinionin publik, por edhe me të gjithë partnerët ndërkombëtarë, sikurse është vepruar në vijimësi, edhe për këtë draft-opinion të Komisionit të Venecias, do të ketë një dokument zyrtar publik të Institucionit të Presidentit, që do të jetë i aksesueshëm për të gjithë qytetarët, të cilët janë të interesuar për të ditur opinionin e Presidencës përballë opinionit të Venecias.
Në fakt, ju vetë personalisht jeni dakord me draftin e Venecias?
Unë mendoj se qëndrimi që do të bëhet publik nesër do të jetë një qëndrim zyrtar dhe do të ketë një letër timen si President i Republikës…
Drejtuar Venecias?
…drejtuar Presidentit të Komisionit të Venecias dhe gjithë anëtarëve të Komisionit të Venecias me disa konsiderata për këtë draft paraprak. Do të ketë dhe disa pyetje që të ndihmohet më tej Komisioni i Venecias për shterimin e kësaj çështjeje dhe po kështu do të jetë i publikuar drafti i opinionit të Komisionit të Venecias dhe njëkohësisht dhe qëndrimi i Institucionit të Presidentit.
Në një intervistë që keni dhënë për gazetarin Çim Peka, keni deklaruar që ka mundësi që, me gjithë respektin, ‘shpresoj që Komisioni i Venecias nuk bëhet mbi bazën e lobimeve, fjalëve apo gjërave të tjera siç ndodh me ambasadat në Shqipëri’. Keni frikë se ka ndodhur këtë herë?
Nuk kam asnjë shqetësim dhe asnjë frikë për Institucionin e Presidentit sepse jam shumë i qartë në të gjitha veprimet publike që kam bërë lidhur me çështjen në fjalë. Ato janë bërë përballë qytetarëve shqiptarë pikërisht këtu ku ne po flasim së bashku. I vetmi shqetësim i imi është të ruajmë integritetin e Komisionit të Venecias, pasi mendoj që kjo do të ishte e dobishme për vetë Komisionin.
Po pse ju intereson integriteti i Komisionit dhe jo integriteti i institucioneve në Shqipëri zoti Meta?
Nëse do ta kishim ruajtur integritetin e institucioneve në Shqipëri, do të kishim një situatë krejtësisht tjetër përsa i takon funksionimit të demokracisë në vend. Nuk do të kishim një temp të tillë. Nuk do të kishim një krizë të tillë. Nuk do të ishim pa Gjykatë Kushtetuese qëllimisht prej më shumë se dy vitesh.
Gjykatën Kushtetuese të gjitha palët e kanë votuar, përfshi dhe ju zoti President.
Nuk do të ishim në kolaps institucional. Dhe pikërisht ajo që u votua në 22 korrik përpara tre vitesh kur unë isha Kryetar i Kuvendit me konsensus, u shkel me të dyja këmbët përgjatë këtyre tre viteve. Kjo është arsyeja që kaluam nga reformë në atë që unë e kam quajtur në të kaluarën stilistikisht ‘Ramaforma’, që është kjo krizë dhe ky kolaps.
Zoti President, ka një pretendim që ka mazhoranca që në fakt shkatërrimi i institucioneve ka ardhur nga fakti që, Presidenti i Republikës, pra ju personalisht jeni bërë palë me opozitën kundër mazhorancës.
Në cilin rast?
Në rastin e anulimit të datës së zgjedhjeve, pra në fillim deklarimin pastaj anulimin e datës së zgjedhjeve…
Si u bëra palë?
Dhe caktimi i një datë të dytë.
Si u bëra palë unë me opozitën? Në ç’kuptim?
Në kuptimin që i shkuat pas fijes opozitës, e cila nuk pranonte të hynte në zgjedhje.
Kjo nuk është e vërtetë.