MENU
klinika

Nga Deutsche Welle

Misioni i BE: Presion nga Beogradi ndaj votuesve në veri të Kosovës

10.10.2019 - 18:31

Drejtuesja e misionit vëzhgues të BE në Kosovë, Viola von Cramon-Taubadel në bisedë me DW vlerëson se zgjedhjet kanë shkuar “çuditërisht mirë“ me përjashtim të veriut të Kosovës, ku opozita është vënë nën presion.

Menjëherë pas kthimit nga Kosova në Bruksel eurodeputetja e partisë gjermane të Gjelbrit dhe drejtuese e misionit vëzhgues të BE në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, Viola von Cramon-Taubadel, vlerëson në bisedë me DW, se zgjedhjet kanë rrjedhur „„çuditërisht mirë” dhe pa incidente të mëdha.

Puna shembullore e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Von Cramon-Taubadel thekson në mënyrë të veçantë faktin se zgjedhjet, duke marrë parasysh afatin e shkurtër kohor për t’u përgatitur, kanë qenë të organizuara dhe të përgatitura shumë mirë. „Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë punë shumë të mirë, duke përgatitur në kohë materialet, gjë që duhet theksuar për shkak të kompleksitetit të procesit, i cili është më i ndërlikuar se në Gjermani”, u shpreh von Cramon-Taubadel për DW.

Ajo i quajti të parakoshme disa kërkesa për rinumërimin e votave. „Së pari duhen numëruar votat e diasporës dhe pastaj të diskutohet për rinumërimin e mundshëm të votave.”, u shpreh von Cramon-Taubadel.

Presion ndaj opozitës në veri të Kosovës

Probleme më serioze janë shfaqur në veri të Kosovës me popullsi kryesisht serbe. „Këtu është ushtruar presion i madh ndaj qytetarëve për të votuar për një parti, dhe ky është një problem i madh, duke patur parasysh nevojën për votime të barabarta dhe transparente”, u shpreh për DW von Cramon-Taubadel. Ajo shpjeqoi se si anëtarët e misionit vëzhgues në bisedat me kandidatët e opozitës kanë mësuar për një „presion të pabesueshëm” mbi votuesit dhe anëtarët e partive. „Ka raste, kur njerëzit janë pushuar e kjo është një shkallë e kërcënimit të ekzistencës, që ka bërë që shumë njerëz të mos guxojnë t’ia japin votën ndonjë partie tjetër”, thotë von Cramon-Taubadel.

Në Mitrovicën e Veriut shiheshin kudo para zgjedhjeve postera elektoralë të “Listës Serbe”

Ajo dëshmon gjithashtu se presion është ushtruar jo vetëm ndaj anëtarëve të Komisionit Zgjedhor apo personave, që janë vënë hapur në krah të një partie opozitare, por edhe ndaj anëtarëve të familjeve të tyre, sidomos kur bëhet fjalë për të punësuarit në sektorin publik. „Për opozitën shpifet vazhdimisht si jopatriotike dhe joserbe. Kjo e ka rënduar shumë situatën e tyre në zgjedhje”, thekson von Cramon-Taubadel. Ajo përmend kompaninë e internetit MTS (Mobile Telephony of Serbia), e cila ditën e zgjedhjeve u ka dërguar një mesazh përdoruesve, në të cilin bëhej thirrje për të votuar Listën Serbe. Politikania e BE ka krijuar përshtypjen, se autoritetet në Prishtinë kujdesen shumë pak për popullsinë serbe në veri të Kosovës. „Për arsye se Prishtina nuk bën shumë, Beogradi ka shumë hapësirë për të diktuar rregullat dhe tonin dhe kjo i bën gjërat më të komplikuara.”

Probleme me mungesën e transparencës

Si një tjetër problem serioz të zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë von Cramon-Taubadel thekson mungesën e transparencës për financimin e fushatës. „Problemi qëndron në faktin se nuk ka mekanizma për t’u imponuar palëve që të tregojnë hapur financat e tyre: nga vijnë paratë, përse shpenzohen ato, apo kush janë donatorët. Partive më vonë u kërkohet të japin informacion, por as kjo nuk është e mjaftueshme.

Po ashtu mungojnë mekanizmat e sanksionimit për rastet, kur nuk plotësohen këto detyrime. Ky është një problem i madh, sepse në fushatë janë investuar shumë para, pa e ditur ne fare se nga vijnë këto para”, thotë eurodeputetja. Ajo thotë se në propozimet, që misioni vëzhgues do të bëjë në raportin e tij përfundimtar në fillim të dhjetorit, një nga rekomandimet do të jetë edhe ndryshimi i ligjeve, që do të kujdesen që financimi i fushatës të bëhet më transparent. „Ne do ta diskutojmë këtë problem me qeverinë e re në Kosovë”, përfundoi von Cramon-Taubadel.

/DW/