MENU
klinika

Kritikat e SHBA-së dhe BE-së

Operacioni në Siri, të gjithë kundër Erdoganit

10.10.2019 - 10:12

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan njoftoi të mërkurën fillimin e operacionit ushtarak në verilindje të Sirisë.

Me këtë rast, sipas AlJazeera, ai ka thënë se ky operacion do të synonte grupin ISIS dhe Njësitë e Mbrojtjes së Popullit Kurd (YPG), të cilat Turqia konsideron se janë të lidhura me Partinë e jashtëligjshme Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

“Forcat e Armatosura Turke, së bashku me Ushtrinë Kombëtare Siriane, sapo filluan #OperationPeaceSpring kundër PKK / YPG dhe Daesh [Isis] terroristëve në veri të Sirisë. Misioni ynë është të parandalojmë krijimin e një korridori të terrorit përtej kufirit tonë jugor, dhe të sjellim paqe në zonë”, shkroi sot në Twitter, presidenti Erdogan.

Dhe për të parë se si dukej dita e parë e operacionit të Turqisë, AlJazeera dhe media të tjera siguruan pamje. Banorët lokalë brohorasin dhe duartrokasin derisa një kolonë e automjeteve të forcave turke, drejtohet nëpër qytetin Akcakale, provincën Sanliurfa, në Turqinë Juglindore, në kufirin midis Turqisë dhe Sirisë, menjëherë pas fillimit të operacionit turk brenda Sirisë.

Siç bëhet e ditur, Ankaraja dëshiron të krijojë një të ashtuquajtur “zonë të sigurt” që shtrihet 32 km (20 milje) në kufi me rajonin verilindor të Sirisë.

Por, presidenti turk ka hasur shumë kundërshti.

Presidenti amerikan, Donald Trump tha se sulmi turk në Sirinë veriore është një ide e keqe dhe ai nuk e miraton operacionin ushtarak, duke shtuar se Ankaraja tani mban përgjegjësi për të gjithë luftëtarët e Shtetit Islamik në zonë.

“SHBA nuk e miraton këtë sulm dhe ia ka bërë të qartë Turqisë se ky operacion është një ide e keqe”, tha Trump në një deklaratë, duke theksuar se asnjë ushtar amerikan nuk është në fushën e sulmit.

“Turqia tani është përgjegjëse për t’u siguruar që të gjithë luftëtarët e ISIS-it në burg të mbeten në burg dhe që ISIS të mos rimëkëmbet sërish në ndonjë mënyrë, apo formë”, vazhdoi ai.

Kjo deklaratë i shtohet asaj të presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i cili kërkoi sot ndërprerjen e ofensivës së nisur nga Turqia në veri të Sirisë dhe paralajmëroi se nuk do të ketë financime europiane për një zonë sigurie.

“Turqia ka probleme sigurie në kufirin e saj me Sirinë, që ne duhet t’i kuptojmë, megjithatë, i bëj thirrje Turqisë, sikurse çdo aktori tjetër, që të përmbahet. Një sulm do të përkeqësojë vuajtjet e civilëve, që tashmë është përtej asaj që mund të përshkruhet me fjalë”, tha Juncker.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Përplasja më SHBA-në

Erdogan: Ose do bëhemi, ose vdesim!

Fundi i konfliktit shtatëvjeçar?

Erdogan: Do ta pastrojmë Sirinë nga kurdët dhe IS