MENU
klinika

“Zbulon” kur do mbahen zgjedhjet e reja

Pandeli Majko i ashpër me opozitën: Ktheni kokën pas!

03.10.2019 - 11:41

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, ka folur me tone të ashpra nga foltorja e Kuvendit, teksa ka deklaruar se zgjedhjet e reja do të zhvillohen, vetëm nëse Gjykata Kushtetuese rrëzon rezultatin e 30 qershorit.

“Nëse Gjykata Kushtetuese rrëzon rezultatin e 30 qershorit, atëherë do të shkohet drejt zgjedhjeve”, tha ministri.

Më tej, ministri Majko dënoi ashpër vendimin e opozitës për të dalë nga sistemi, ndërsa i bëri thirrje PD-së t’i vërë gishtin kokës dhe të kthehet në sistem, pasi kjo është rruga e vetme për t’i dhënë fund krizës së thellë politike.

“Kuvendi dhe sistemi politik i vendit u ballafaqua me aktin e paprecedentë të Presidentit me aktin e 30 qershorit. Kuvendi u ballafaqua me aktin e paprecedentë të Presidentit për të anuluar 30 qershorin. Ata që na kufizojnë shpesh në politikë nuk janë gabimet, por frika në to.

Procesi politik i muajve të fundit pohoi pamundësinë e mazhorancës për të mos u tërhequr nga zbatimi i rregullave të sistemit kushtetues të zgjedhjeve lokale. Ajo është e detyruar të zgjedhë Kushtetutë, para dëshirave të saj. Mazhoranca sot ka dy opozita, që me nervozizmin e tyre e komplikojnë procesin. Opozita në Kuvend reagon me nervozizëm për çdo mundësi dialogu me opozitën jashtë parlamentare.

Aktualisht politika opozitare jashtë Kuvendit është e qartë vetëm për atë që nuk do. Ajo ka vendosur në provë legalitetin e sistemit demokratik të vendit. Kriza opozitare e ka të vështirë ta shpjegojë vlerësimin se me Ramën nuk bëhen sot zgjedhje. Cilido opozitar që ndjen se nuk fiton përballë Ramës, duhet ta nisë shpjegimin jo nga ai, por nga vetja. Çdo njeri që blen vota do mbetet i tillë elektoralisht si kur është kryeministër, ashtu dhe kur është vetëm kryetar i PS.

Barazimi i sistemit me qëllimin politik është gabim. Ai do vetëkufizojë opozitën dhe d vendos në provë mazhorancën. Problemi i vendit sot nuk është PS.

Partia që u krijua nga studentët duhet t’i bëjë pyetje të rëndësishme vetes sot. “Pse nuk po bëhet një alternativë, që “votën” me të ardhmen e Shqipërisë?” “Pse e ardhmja e PD sot matet me “eurot” e kundërshtarit?”

Kjo reformë ka të pashmangshme negociatën me opozitën në Kuvend. Ne u detyrohemi këtyre burrave dhe grave që nuk braktisën Kuvendin. Negociata me to ka rëndësi. Dhënia e të drejtës së votës shtetasve jashtë vendit nuk është çështje teknike, por prek kërkesën për ndryshime të rëndësishme në sistemin zgjedhor.

Të kesh frikë nga skenarët negativë, është dramë personale. Opozita duhet të ndërtojë raportin e munguar me humbjen. PD duhet të kthejë kokën pas. Kujtesa është pasqyrë që ka nevojë të shikohet nga cilido që humb rrugën. Kjo rezolutë është e rëndësishme”, deklaroi Majko.