MENU
klinika

Profil/ Greta Thunberg

Për pak Nobeli do të ishte i saji…

12.10.2019 - 13:59

Greta Thunberg, së bashku me kryeministrin e Etiopisë, Abiy Ahmed, ishin pretendetën kryesorë për të marrë çmimin Nobel për Paqen.

Duke qenë se kontributi i Greta-s mbi ndryshimet klimatike mori më tepër vëmendje mediatike, ajo konsiderohej si favorite. Megjithatë çmimi Nobel për Paqen iu dha Ahmed për kontribut të jashtëzakonshëm për paqen, referuar punës së tij për t’i dhënë fund një konflikti të përgjakshëm 20-vjeçar midis Etiopisë dhe Eritresë, dy shtete në Afrikën Lindore.

Si nisi gjithçka?

Adoleshentja suedeze Greta Thunberg, tërhoqi fillimisht vëmendjen në gusht të 2018-s, kur braktisi mësimin për të protestuar jashtë parlamentit suedez çdo të premte.

Aktivistes, atëherë 15- vjeçare iu bashkua një grup i vogël nxënësish të tjerë në Stokholm, para se fushata të joshte dhjetëra mijëra student në më shumë se 24 vende, ku e premtja u kthye në ditë protestash në shkolla.

Deri në mars të 2019-s, numri i studentëve që iu bashkuan iniciativës shkoi në më shumë se 2 milionë në rreth 135 vende. Greta u kthye shpejt në ikonë të lëvizjes, duke u kandiduar për Çmimin Nobel të Paqes dhe duke u përfshirë mes njerëzve me më shumë ndikim të revistës Time. Është vlerësuar me Çmimin e Normandisë për Lirinë dhe atë të ambasadores së ndërgjegjes nga Amenisty International.

Në më pak se një vit, nga nisja e fushatës së pagëzuar si ‘të premtet për të ardhmen’, Thunberg mbajti një fjalim në Parlamentin Europian, u takua me Papa Franceskun dhe iu drejtua gjithashtu ligjvënësve britanikë.

Në gusht të 2019-s, pas 14- ditësh udhëtim me një mjet pa emetime karboni, Greta mbërriti në New York për të marrë pjesë në samitin e OKB për klimën. Ndërkaq, numri total i protestuesëve arriti në 3.6 milionë nga 169 vende.

Gjatë vizitës në Shtete të Bashkuara, Thunberg u takua me presidentin amerikan Barak Obama, presidenten e përgjithshme të asamblesë së Kombeve të Bashkuara, Maria Fernanda Espinosa si dhe mbajti një fjalim në kongres ku u tha ligjvënësve të zgjohen e të dëgjojnë shkencën.

Financues të pasur e oligarkë pas saj?

Media kryesore e Suedisë e publikoi shpejt misionin e saj, një vajzë kundër ndryshimit të klimës dhe shkroi disa artikuj për të.

Thunberg shumë shpejt kishte trajneren e saj, një aktiviste e njohur e klimës nga Gjermania me emrin Luisa-Marie Neubauer.

Ajo është vajza e këngëtares së famshme të operave, Marlena Ernman, që njihet si aktiviste e majtë liberale. Luisa-Marie Neubauer, e cila është kapur në  shumë imazhe dhe video së bashku me Gretën, teksa të dyja sulmonin në mënyrë të drejtpërdrejtë ndryshimet klimatike në të gjithë botën, është pjesë e një organizate, e quajtur fondacion ONE.

Ajo ka disa financues të pasur të njohur, duke përfshirë këngëtarin Bono, si dhe Bill dhe Melissa Gates. Një emër edhe më i habitshëm e goditës është ai i multi-miliarderit, George Soros, famëkeq për spekulimet e tij dhe mbase edhe më i spikatur si babai i rrjetit global, aktiv, radikal dhe të majtë-liberal, “Shoqëria e Hapur”, duke mbështetur mijëra OJQ.

Sipas “Deutschland-Kurier”, Luisa Neubauer është “Ambasadore Rinore” e ONE, një organizatë ndërkombëtare për lobim dhe fushatë.

“ONE” financohet nga liberalë të pasur, përfshirë Bono, Bill dhe Melinda Gates dhe George Soros. Kështu thuhet në faqen e internetit të ONE.org, në prezantimin e fondacionit.

Ajo po sfidon problemet shëndetësore për të shpëtuar botën

Greta u diagnostikua me Sindromën e Aspergerit 4 vjet më parë. Që nga ajo kohë, ka mësuar ta përdorë këtë sëmundje, si një forcë motivuese në fushatat e saj. Aspergeri i saj, do të thotë që Greta i konsideron faktet që mëson rreth mjedisit, si më shqetësuese sesa të tjerët, dhe nuk mund t’i largojë lehtësisht këto ndjesi.

“Unë mendoj shumë. Disa njerëz mund t’i lënë gjërat të rrjedhin ashtu siç janë, por unë nuk mundem. Veçanërisht nëse ka diçka që më shqetëson ose më trishton”- është shprehur Greta në një intervistë për britaniken “The Guardian”. Ajo gjithashtu është diagnostikuar me OCD dhe mutizëm selektiv, që do të thotë se nuk mund të komunikojë normalisht, me njerëz që nuk janë të njohur të saj.

Greta ka përjetuar disa periudha depresioni

Greta mësoi mbi konceptin e ndryshimit të klimës qëkur ishte 8-vjeç, dhe u prek shumë. Disa vjet më vonë, kur ishte 11-vjeçe, ato ndjenja kontribuuan që Greta të zhytet në një periudhë depresioni. Ajo e ndërpreu shkollën, dhe humbi deri në 10 kg në peshë në vetëm 2 muaj. Gjatë asaj kohe, ajo diskutoi me prindërit e saj shqetësimet e saj mjedisore.

Prindërit e saj janë të mirënjohur në Suedi

Nëna e Gretës është Malena Ernman, një ndër këngëtaret më të famshme operistike në vend.  I ati Svante Thunberg, është aktor i njohur. Ai ka marrë këtë emër nga Svante Arhenius, shkencëtari fitues i çmimit Nobel, që llogariti se si emetimet e dyoksidit të karbonit në atmosferë, mund të çonin drejt efektit serë.

Greta dëshiron që të gjithë të jenë të alarmuar për situatën

Kur Greta mësoi për herë të parë mbi krizën e klimës, ajo nuk mund ta besonte dot, që të rriturit nuk po ndërmerrnin asnjë masë domethënëse. “Shtëpinë tonë e kanë përfshirë flakët. Unë jam këtu për të thënë, se shtëpia jonë është në zjarr”- shkroi Greta në një artikull në “The Guardian”.

“Të rriturit vazhdojnë të na thonë: “Ne u kemi borxh të rinjve dhënien e shpresës. Por unë nuk e dua shpresën tuaj. Unë s’dua që ju të jeni shpresëdhënës. Unë dua që ju të jeni të alarmuar. Që ju të ndjeni frikën që ndiej unë çdo ditë. Dhe pastaj dua që të veproni”.