MENU
klinika

Nga Deutsche Welle

Përrallat serbo-ruse për bashkëpunimin ushtarak

29.10.2019 - 09:35

Bashkëpunimi ushtarak mes Serbisë dhe Rusisë është një prej temave më të trajtuara në Beograd dhe në rajon. Po çfarë fshihet vërtet pas këtyre përrallave dhe a e rrezikojnë ato rajonin?

Edhe një stërvitje tjetër serbo-ruse e këtyre ditëve, ishte tepër e mirëseardhur për mediat e regjimit në Serbi, në veçanti për tabloidet, të cilat shkruanin për namin e sistemeve raketore ruse S-400. Ja vetëm disa nga kryetitujt: “Tepër të fortë jemi: Oficerët serbë janë stërvitur për përdorimin e S-400”, “Shuplaka ruse për Perëndimin: Paniku në NATO për shkak të S-400 në Serbi!”, “Stërvitja ushtarake ‘Slovensko bratstvo’ (Vëllazëria sllovene) ka alarmuar Perëndimin”…

Në opinionin serb është krijuar pra – për të satën herë me radhë – bindja për dominimin e bashkëpunimit ushtarak me Rusinë. Por faktet flasin ndryshe: Vendet e NATO-s ndihmojnë shumë më shumë Serbinë ushtarakisht, se sa Rusia. Ushtria e Serbisë shumë më shpesh merr pjesë në stërvitjet dhe projektet partnere me NATO-n. Serbia ka shumë më shumë projekte të nënshkruara partneriteti me NATO-n, se sa me Rusinë. Ndaj shtrohet pyetja: Cili është qëllimi i kësaj politike serbe të sigurisë?

Faktet për donacionet

Hulumtimet e Institutit për Çështje Evropiane kanë dëshmuar se në vitin 2018, Serbia ka marrë më së shumti donacione nga SHBA (rreth 2.375.000 euro), ndërsa nga të gjithë të tjerët, pak më shumë se dy milionë. Rusia gjatë vitit të kaluar ishte ndër pesë donatorët më të vegjël të Serbisë. Ushtria serbe ka marrë pjesë në periudhën prej vitit 2012 – 2018 në 11 stërvitje të përbashkëta ushtarake me NATO-n, si dhe në 98 stërvitje ushtarake me vendet anëtare të aelancës. E megjithatë, shumica e të anketuarve në Serbi janë kundër anëtarësimit të Serbisë në NATO.

Nikola Luniq, drejtor i Këshillit për Politika Strategjike, për Deutsche Wellen thotë se donacioni i vetëm i Federatës së Rusisë për Serbinë ka qenë dhjetë automjete të blinduara, me vlerë prej rreth 150.000 dollarë. Ndërkohë që SHBA i kanë dhënë Serbisë 40 automjete „hamer”, me vlerë prej 7,5 milionë dollarë.

„E kur pyet njerëzit e rëndomtë në Serbi, të gjithë kanë lexuar dhe dëgjuar për donacionin rus, ndërsa per “hamerët” amerikanë janë tërësisht të painformuar. Nga Federata e Rusisë ne marrim gjëra të vjetëruara, të cilat ata i nxjerrin jashtë përdorimit, dhe në vend se t’i shkrijnë dhe prodhojnë gjëra të tjera, ata ua japin ato vendeve të treta si donacione. Ne kemi nevojë për edukimin e popullatës për çështjet e sigurisë, në veçanti për edukimin e të rinjve”, pohon Luniq.

“Situatë skizofrene”

Gjenerali në pension i aviacionit të Serbisë, Sreto Malinoviq shpjegon për Deutsche Wellen se krerët politikë serbë janë duke bërë një politikë “skizofrene”. „Jepet shenja për shkuarje në të majtë, ndërsa vozitet në të djathtë… këto janë vetëm veprime politike, shpresoj unë. Sepse negociatat dhe anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian është rruga e vetme racionale për siguri. Ata po bëjnë gjoja politikë properëndimore ndërkohë që në opinion po krijojnë një bindje rusofile. Njëra flitet, e dyta punohet, e treta mendohet”, pohon Malinoviq.

Ai shtron pyetjen edhe pyetjen, kush e ka paguar sjelljen në Serbi të sistemit S-400 për stërvijte? Ndërkohë që ky sistem ka shërbyer vetëm si maketë, sepse nuk ka mundur të përdoret. „Këto janë gjëra që kushtojnë dhe shteti paguan, ndërsa fëmijët tanë përpiqen të na i shërojnë me dërgimin e SMS-ve”, paralajmëron Malinoviq.

Një gjë të njëjtë ka vërejtur edhe Nikola Luniq. Ai pohon se Serbia nuk ka asnjë poligon ushtarak, ku mund të përdoren sisteme të këtilla të mbrojtjes kundërajrore. Serbia për të provuar sistemet raketore dërgon forcat e veta ushtarake në Bullgari. “E ata kanë sjellë këtu në Serbi sistemin S-400! Ky është thjesht një promovim politik dhe futje në fushatën parazgjedhore. Duan të dëshmohen para nacionalistëve të zjarrtë dhe të hedhin vaj në teoritë, se serbët janë popull qiellor ndërsa Serbia shteti i përzgjedhur”, pohon Luniq.

Vlade Raduloviq, analist ushtarako-politik, për Deutsche Wellen thotë se pavarësisht faktit që kohët e fundit vërehet një ngecje në bashkëpunimin me NATO-n, e vërteta është që Serbia me këtë aleancë ka bashkëpunim shumë më intensiv se sa me Federatën e Rusisë.

“Por përmes propagandës në media krijohet bindja se më së shumti bashkëpunojmë me Rusinë. Momenti vendimtar për krijimin e kësaj lloj bindjeje ishte rrëfimi për dhurimin e avionëve rus MiG 29, të cilin ne do t’i paguajmë më vonë, sipas të dhënave zyrtare, 185 milionë dollarë. Ndërkohë që ende nuk e dimë se sa do të kushtojë modernizimi i tyre”, pohon Raduloviq. Ai shton se Serbia në anën tjetër ka marrë donacione prej NATO-s në vlerë prej dhjetëra miliona dollarëve.

Politika populiste

Mashtrimi tendencioz i opinionit nga politikanët dhe krijimi i një bindjeje të rrejshme ka për synim përfitimet politike tek zgjedhësit e mundshëm. Nikola Luniq paralajmëron se kjo e dëmton shumë jo vetëm Serbinë, por edhe të gjithë rajonin. “Madje edhe vet Nikita Bondarev (nga Instituti për Studime Strategjike) e thotë qartë: Rusia i sheh liderët politikë në rajonin tonë vetëm nga perspektiva e interesave ruse. Por serbët nuk janë mësuar të bëjnë dallimin mes emocioneve dhe interesave. Ndaj Vulin (ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin) paraqitet si personi, i cili përcakton vlerat dhe qëllimet nacionale! Ai ka thënë se bashkëpunimi me NATO-n është interes, ndërsa bashkëpunimi me Rusinë është përcaktim emocional. Këto janë pengesa të mëdha për normalizimin e raporteve në rajon dhe për marrëveshje me Kosovën”, paralajmëron Luniq.

Loja e këtillë me çështjet e sigurisë mund të jetë edhe shumë e rrezikshme. “Kur kemi parasysh pozitën dhe rolin tonë shumë të vogël, madje minimal, në suazat globale, atëherë me daullet tona të zhurmshme ne mund të të shkaktojmë një gjendje që do të na kthejë 50 vjet mbrapa. E ne themi se jemi faktor stabiliteti në rajon. Çfarë faktori stabiliteti jemi ne, kur eksportojmë retorikë të jo-stabilitetit, konfrontimeve, një retorikë që na fut në grindje me fqinjët”, nënvizon Sreto Malinoviq.

Ndonëse Serbia tërë kohën pohon se është neutrale ushtarakisht, Vlade Raduloviq kujton se neutraliteti ushtarak nuk parashikohet në Kushtetutën e Serbisë, por vetëm me një deklaratë parlamentare nga viti 2007. Nga ana tjetër, Serbia vazhdon bashkëpunimin ushtarak me Rusinë, Kinën, Bjellorusinë, SHBA dhe NATO-n.

“Problematike është edhe çështja e blerjes së armëve nga Federata e Rusisë. Hapur na është thënë se futja në transaksione serioze ushtarake me Rusinë mund të rezultojë me sanksionet amerikane”, paralajmëron Raduloviq, duke shtuar se Serbia ka refuzuar të vendosë sanksione kundër Rusisë, ndonëse kjo ka qenë politikë e BE. Ndërkohë që ajo nuk e ka mbështetur politikën e BE edhe në disa çështje të tjera. “Në këtë mënyrë ne tregojmë se politika jonë e jashtme është shumë kontestuese, sepse pa e ndjekur një politikë të caktuar, ju nuk mund të realizoni qëllimet e proklamuara. Ne shpesh nuk jemi duke harmonizuar politikën me çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes në BE”, pohon Raduloviq.

Nikola Luniq shton se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e kupton mirë politikën e sigurisë në rajon. Ai vet ka thënë se anëtarësimi i Serbisë në NATO do të zgjidhte 90% të problemeve tona. „Është e vërtetë që ai e kupton këtë. Shpresoj shumë se ai do t’i kuptojë edhe interesat e Serbisë dhe rajonit. Ne duhet të bashkëpunojmë me vendet e rajonit, edhe Kosovën duhet ta shikojmë si partner. Kjo është në interesin e përbashkët të rajonit”, pohon Luniq. Ai shpreson se kursi i Serbisë në çështjet e sigurisë do të ndryshojë pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Rreziqet e vërteta

Të gjithë bashkëbiseduesit e Deutsche Welles janë dakord me konstatimin se propaganda mediatike në Serbi shërben vetëm për të fshehur qëllimin e pushtetit – që të injorojë nevojat e vërteta për sigurinë e njeriut të rëndomtë.

„Në të gjitha sondazhet thuhet, se qytetarët si kërcënimin kryesor të sigurisë së tyre shohin korrupsionin, politikanët dhe pushtetin e keq. Askush nuk e respekton këtë, por flitet për armatimet virtuale dhe garën për armatim në të gjithë rajonin”, pohon Niola Luniq.

„Me këtë lloj cirku është krijuar përshtypja sikur NATO ka vënë gishtin në kokë dhe po mendon se çfarë po ndodh në Serbi. Por mendoj se është shumë me rëndësi që populli i Serbisë ta verë gishtin në kokë dhe të mendoj më mirë, se në cilin drejtim duhet të shkojë”, konstaton Sreto Malinoviq.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Për çfarë është zotuar Beogradi?

Rusi-Serbi, stërvitje të përbashkëta ushtarake

Për çfarë është zotuar Beogradi?

Serbi-Rusi po thurin diçka, NATO respekton vendimin