Më 25 tetor 1881, në Malaga të Spanjës lindi Pablo Picasso. Ai ishte piktor, skulptor, punues qeramike, projektues grafik, poet dhe dramaturg, publicist dhe kumtues. Çfaë nuk ishte! Kudo la gjurmë me sprovat kurajoze dhe ndryshesat çapërluese dhe transformuese. Me çfarë nuk i mbushi të 91 vitet, deri më 8 prill 1973, kur artisti u shua.
Rreth 15 000 piktura, vizatime, grafika, plastika dhe qeramika, dëshmojnë jo dhe aq volumin e tij të jashtëzakonshëm, se sa vlerat shumëdimensionale, me të cilat ai promovoi emrin dhe veprën e tij, duke qëmtuar kështu për të vendosur majën më të lartë.
“Kur isha fëmijë, dëshiroja të pikturoja si të rriturit. Tani kur jam rritur e madje, edhe moshuar, dëshiroj të pikturoj si fëmijë”, – është kjo perifrazë shkëputur nga ligjërimet e piktorit të madh, njëherazi, një nga filozofitë e krijimit dhe përjetimit.
Puna e këtij artisit pa kohë dhe shumëdimensional, bazohej mbi ndjeshmërinë, vullnetin, dëshirën, forcë dhe hapësirën, që i veshi këtij dimensioni prej nga erdhi kumtimi krijues.
Qëllimi i piktorit të fashmshëm, nuk ishte të argumentonte koherencën, por të arrinte të ndiente nivelin më të lartë të ndjeshmërisë, forcën e shprehisë përmes formës së çartur të artikulimit vetjak.